Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me Komunën e Prishtinës, për realizimin e projekteve infrastrukturore.


Sipas një komunikate të lëshuar nga kjo ministri, bëhet e ditur se financues i këtyre projekteve është pikërisht ministria në fjalë, ndërsa vlera totale e financimit do të jetë 1.5 milion euro, përcjell “Zëri.info”.


Në këtë projekt parashihet të realizohen disa projekte në hyrjen e qytetit nga ana e Veternikut.


“Gjelbërimi dhe ndriçimi i urës në hyrje të qytetit të Prishtinës (lagjja “Veterniku”); ndërtimi i mbikalimit për këmbësorë në lagjen “Veterniku” dhe përfundimi i rrugës nacionale N2, segmenti rrugor Prishtinë – Veternik”, thuhet në njoftimin e MIA-s.


Ministria thotë se ky bashkëpunim ka për qellim ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës.


Ndërkaq, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të ministrit të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, në përfundimin dhe realizimin e projekteve për Prishtinën.