Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) kërkon të zbatohen masat nga Pakoja Emergjente Fiskale, përfshirë edhe përkrahjen për eksportuesit.

Ministria e Financave dhe Transfereve nga Pako Emergjente Fiskale ka ndarë 10 milionë euro për ndërmarrjet eksportuese të cilat janë goditur nga pandemia.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ministria duhet të zbatojë këtë masë në mënyrë të shpejtë që t’u dalë në ndihmë eksportuesve për shkak të vështirësive në zinxhirin global të furnizimit. “Në bashkëpunim me OEK dhe Këshillin e Investitorëve Evropianë kemi kërkuar zbatimin e të gjitha masave që janë të përfshira në pakon emergjente fiskale për mbylljen e zbatimit të tyre. Pakoja, si e tillë, është planifikuar që t’i ndihmojë ndërmarrjet dhe punonjësit e goditur në këtë fazë emergjente në të cilën po kalon ekonomia. Këto masa duhet të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Zeka.

Ai ka shtuar se këto ndërmarrje, përveçse janë të pakta në numër, një pjesë e fabrikave janë mbyllur në tërësi dhe disa të tjera kanë reduktuar pagesat për punonjësit. Andaj, ai ka thënë se kjo masë duhet të zbatohet në këtë periudhë, para pakos së rimëkëmbjes. “Është masa e 13 e cila parasheh disbursimin e 10 milionë euro për ndërmarrjet eksportuese. Kjo masë duhet të zbatohet tani në këtë periudhë për shkak të vështirësive në zinxhirin global të furnizimit. Shumë prej këtyre tashmë janë ballafaquar edhe me rënie të kërkesës dhe me vështirësi të tjera operacionale, disa prej tyre i kanë reduktuar edhe kapacitetet e punës. Një numër i fabrikave janë mbyllur në tërësi, disa prej tyre kanë reduktuar pagesat për punonjësit e tyre”, është shprehur Zeka.

Ndër të tjera, Zeka ka deklaruar se nëse këto mjete të planifikuara nuk adresohen, rrezikohen kontratat dhe aktiviteti prodhues i ndërmarrjeve. “Rreziku është që këto kompani të humbin kontratat të cilat i kanë ose ta pushojnë në tërësi aktivitetin e tyre prodhues. Në kohën kur ne kemi një deficit të lartë tregtar dhe kemi nevojë që përpjekja e shtetit të jetë në mbështetje të tyre, 10 milionë euro nuk janë shumë për mbështetje të eksportit”, ka shprehur mendimin Zeka.

Më tutje, ai e ka komentuar edhe deklaratën e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për vonesat e kompensimit të pagave për shkak të keqpërdorimeve. Ai ka treguar se këto mjete duhet të disbursohen pasi vështirëson jetesën dhe shkakton dëme në ekonomi. “Kishim edhe njoftimin nga MF-ja që jo të gjitha mjetet e planifikuara për kompensim të pagave janë disbursuar deri më tani për shkak të keqpërdorimeve nga ana e bizneseve. Ne mendojmë se është e nevojshme të disbursohen të gjitha mjetet e planifikuara, pasi një pjesë e madhe e punonjësve gjatë kësaj periudhe kanë mbetur të papunë dhe ndërprerja e të hyrave për ata e vështirëson edhe të jetuarit e tyre si dhe shkakton dëme në ekonomi në përgjithësi”, ka shtuar Zeka.