Ish-trajneri i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki, ka bërë të ditur se ai ishte takuar me trajneri i ri të “Dardanëve” Bernard Challandes në Mitrovicë dhe se ai është gjithmonë i gatshëm për ndihmë apo bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Albert Bunjaki e mbajti pozitën e trajnerit të Kosovës nga 1 janari i vitit 2009 deri më 8 tetor të vitit 2017, megjithatë rolin më të madh në skuadër e pati pas vitit 2016 kur Kosova u bë pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s, raporton Gazeta Express.

Kombëtarja e Kosovës
që nga pranimi në UEFA dhe FIFA i kishte humbur shtatë nga tetë ndeshjet e
zhvilluara në arenën ndërkombëtare me Bunjakin në pozitën e trajnerit, i cili
ishte përballur me disa kundërshtarë të mëdhenj si Kroacia.

Pas këtyre
rezultateve, kryetari i atëhershëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil
Vokrri, bëri të ditur se Bunjaki është shkarkuar nga pozita e trajnerit dhe në
vend të tij erdhi trajneri Bernard Challandes, i cili e arriti një ecuri të
mrekullueshme të ndeshjeve pa disfatë, deri në përballjen me Anglinë.

“Jam takuar me
Challandesin në Mitrovicë, jemi takuar në mënyrë shumë të mirë. I kam treguar
këtë që për fat të mirë të gjithë stafin teknik që unë e kam pasur –
Muharremin, Bajramin, Gencin – të gjithë janë në Kombëtare, kjo e vazhdon
kontinuitetin e punës”, ka thënë Bunjaki në emisionin sportiv në T7, “Favorit”.

“Gjithashtu i kam
thënë se për çfarëdo që ka nevojë, unë jam i gatshëm të i jap informata – qoftë
të këqija e qoftë të mira, ato që kanë qenë reale – ngase vetëm në këtë mënyrë
mund të shkojmë përpara”.

“Gjithmonë kam thënë
se te unë nuk ka mbyllje të një dere, por vetëm hapje të një dere tjetër. Unë
nuk ia kam mbyllur kurrë derën Federatës së Futbollit dhe Kombëtares së Kosovës,
gjithmonë jam aktiv dhe e shoh ende veten aktiv në futbollin e Kosovës në forma
të ndryshme”.

Kosova tani kërkon
kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020 përmes dy përballjeve që do të
zhvillohet gjatë dy javëve të ardhshme – fillimisht më 14 nëntor kundër Çekisë
e tre ditë më vonë kundër Anglisë në “Fadil Vokrri”. /Gazeta Express/