Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka pritur në takim kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka me të cilën kanë folur për financimin e procesit zgjedhor në Kosovë.

Në një njoftim për media nga MF-ja kanë bërë të ditur se Bajrami ka njoftuar Dakën se në buxhetin për vitin 2021 është paraparë financim i mjaftueshëm për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe të atyre lokale që do të mbahen gjatë këtij viti.


“Bajrami theksoi se MF do ta mbështesë KQZ-në në të gjitha fazat e ekzekutimit të buxhetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e financave publike”, thuhet në njoftimin e MF-së.


Daka ka theksuar se KQZ-ja është duke punuar intensivisht në mënyrë që procesi zgjedhor të realizohet me sukses, dhe falënderoi Ministrinë e Financave për bashkëpunimin e ngushtë./Zëri