Barcelona ndalet nga Atletico Madridi, bën lëshim tjetër të madh në garë për titull


Futboll


Gazeta Express

01/07/2020 0:11

Barcelona është ndalur me barazim 2:2 nga Atletico Madridi, duke e regjistruar barazimin e dytë radhazi dhe të tretin në katër ndeshjet e fundit, cili ia vështirëson tej mase përpjekjet për ta mbrojtur titullin në La Liga.

Barça e kishte dy herë në dorë epërsinë të
martën në Camp Nou, falë autogolit të Diego Costas dhe penalltisë së Lionel Messit,
por nuk arriti ta mbrojë atë asnjëherë për shkak të dy penalltive të shënuara
nga Saul, raporton Gazeta Express.

Barazimi i sotëm nënkupton se Barcelona i ka lëshuar
plot gjashtë pikë nga nëntë të mundshme në tri ndeshjet e fundit dhe si pasojë
ngel një pikë prapa liderit, Real Madrid, i cili do ta çojë në katër pikë epërsinë
në krye të ligës nëse e mund Getafen në ndeshjen e kësaj jave më 2 korrik.

Skuadra e Quique Setien e mbizotëroi posedimin
e topit, duke e mbajtur në zotërim mbi 70 për qind të kohës, por nuk arriti të
krijojë më shumë se vizitorët nga Madridi.

Costa ia fali epërsinë Barçës kur shënoi në
portën e vet pas një harkimi të Lionel Messit nga korneri në minutën e 11-të.

Reagimi i Atleticos ishte i menjëhershëm, kur
Saul e barazoi rezultatin në minutën e 19-të duke e mposhjtur Marc-Andre ter
Stegenin nga penalltia, të cilën e kishte shkaktuar Arturo Vidal.

Saul e mori përgjegjësinë për të gjuajtur vetëm
pasi Costa e humbi atë.

Sulmuesi spanjoll shpëtoi me fytyrë këtë mbrëmje,
pasi Ter Stegen kishte dalë nga portë më herët se Costa ta godiste topin nga
pika e bardhë, prandaj gjyqtari urdhëroi që penalltia të përsëritej dhe
portieri gjerman u ndëshkua me karton të verdhë.

Messi e ktheu epërsinë e Barçës duke shënuar
po ashtu nga penalltia, atë që ishte goli i tij i 700-të në karrierë për klubin
dhe kombëtaren.

Argjentinasi e mposhti Jan Oblakin duke
goditur topin me panenka.

Por, në një mbrëmje penalltish, Saul e barazoi
rezultatin në 2:2 me anë të fatit, pasi Ter Stegen e kishte në duar topin e
goditur nga pika e bardhë por e lëshoi t’i rrëshqasë dhe të përfundojë brenda në
rrjetë. /Gazeta Express/