Ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, i ka zbuluar të gjitha fazat e procesit të zgjedhjes së lojtarëve që do ta përfaqësojnë ekipin kombëtar të Kosovës, duke bërë të ditur se kishte qenë i vetëdijshëm që fillimisht do të vinin lojtarë që janë djem të kryetarëve të klubeve ose diçka e tillë.

Albert Bunjaki e mbajti pozitën e trajnerit të Kosovës nga  janari i vitit 2009 deri më tetor të vitit 2017, megjithatë rolin më të madh në skuadër e pati pas vitit 2016 kur Kosova u bë pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s, raporton Gazeta Express.

Kur filloi procesi me
disa faza i seleksionimit të Kombëtares së Kosovës, Bunjaki kishte qenë i
vetëdijshëm se disa lojtarë do të dërgoheshin nga klubet për shkak të lidhjes
së tyre.

“Një ndër punët e para
që e kam bërë kur kam ardhur nuk ka qenë Kombëtarja A, e kemi bërë një kamp
U-15. Është një model ku unë kam pasur mundësi të jem edhe si trajner, por edhe
si skaut”, ka thënë Bunjaki në emision sportiv në T7, “Favorit”.

“Është marrë modeli i
Suedisë dhe i është përshtatur modelit të Kosovës. Ky seleksionim mendoj se ka
qenë njëri ndër projektet më të qëlluara që bëhet në Kosovë sepse jam munduar
t’i largohem seleksionimeve spontane dhe të ketë seleksionime profesionale prej
fillimit”.

“Janë bërë katër
seleksionime për një grupmoshë. Së pari fillon seleksionimi i klubeve, domthënë
çdo klubi i Kosovës 2-3 lojtarë 14 apo 15-vjeçarë në vitet 2009-2010. Domethënë
këtu klubet vetë i kanë zgjedh lojtarët. Unë e kam ditur se prej atyre tre
lojtarëve, një do të jetë djali i një kryetari apo dikujt, një do të jetë
dikush që s’mund ta largojnë dhe një për të cilin ata s’ishin të sigurt”.

“E kemi ditur këtë.
Tash këta lojtarë janë grumbulluar në seleksionimin regjional. Regjionet i kanë
zgjedhur trajnerët dhe është krijuar ajo përfaqësuesja e regjioneve. Ata kanë
punuar në mënyrë intenzive për seleksionimin tjetër, ku janë grumbulluar 18
lojtarë që janë vendosur në Qendrën e Studentëve në Prishtinë”.

“Pastaj vjen pjesa më
kryesore, seleksionimi i tretë, ku unë dhe i gjithë stafi i kemi vlerësuar
lojtarët me nota për aftësitë e shfaqura në fushën e lojës.

Bunjaki gjithashtu
sqaroi se ai fillimisht e kishte formuar grupin me lojtarë vendorë, megjithatë
ata më pas mbetën prapa shkaku i fazës së konkurrencës, ku theksoi se s’kishte
mundësi të largonte lojtarë si Arbër Zenelin. /Gazeta Express/