Ish-trajneri i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki, ka rrëfyer detaje nga udhëtimi i parë me skuadrën në Finlandë, duke i zbuluar disa momente si diskutimet për synimet e skuadrës dhe lundrimin me barkë.

Albert Bunjaki e mbajti pozitën e trajnerit të Kosovës nga 1 janari i vitit 2009 deri më 8 tetor të vitit 2017, megjithatë rolin më të madh në skuadër e pati pas vitit 2016 kur Kosova u bë pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s, raporton Gazeta Express.

Kombëtarja e Kosovës
që nga pranimi në UEFA dhe FIFA i kishte humbur shtatë nga tetë ndeshjet e
zhvilluara në arenën ndërkombëtare me Bunjakin në pozitën e trajnerit, i cili
ishte përballur me disa kundërshtarë të mëdhenj si Kroacia.

Pas këtyre rezultateve,
kryetari i atëhershëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, bëri
të ditur se Bunjaki është shkarkuar nga pozita e trajnerit. Mirëpo, Bunjakit i
kanë mbetur disa kujtime të mira nga ajo periudhë sa ishte trajner i Kosovës.

“Ne kemi punuar për
“team building”, për mua ka qenë pjesa kryesore ajo pjesa para përballjes me
Finlandën. Ne kemi dalur me një synim të përbashkët, por që është edhe reale:
kualifikimi në EURO 2020”, ka thënë Bunjaki në emisionin sportiv në T7,
“Favorit”.

“Këto kanë qenë ditët
e para kur jemi tubuar në qendrën nacionale të Finlandës dhe ne kemi diskutuar
në grupe. Tema ka qenë: Cila është objektiva për vitin 2016? Unë e kam ditur se
çfarë dua, mirëpo është e kotë nëse lojtarët s’e kanë të njëjtin mendim”.

“E di që disa prej
këtyre lojtarëve e kanë diskutuar kualifikimin dhe në atë rast ishte detyra ime
t’ua shpjegoj se që nuk është reale të mendojmë në atë formë, por që të marrim
përvojë, gjë që ndodhi”.

“Pas asaj pjesës
teorike që punuam në Finlandë, erdhi pjesa praktike. Për mua, barka ka qenë ai
momenti kryesor kur unë e shoh Kombëtaren e Kosovës. Jo rastësisht unë dhe
Muharrem Sahiti jemi jashtë barkës, ndërsa vetëm 15 lojtarë janë brenda”.

“Ata për të parën herë
hypën në një barkë bashkë, shumica prej tyre asnjëherë nuk kanë hyrë më parë në
barkë, por e kanë besueshmërinë ndaj njëri-tjetrit. Disa prej tyre dinin, disa
jo. Ata që dinin, duhet t’i mësonin ata që s’dinin”.

“Më interesantja ka
qenë destinacioni. Në lundrimin e parë, destinacioni s’ka qenë i caktuar, këta
janë sjellë dhe janë kthyer. Ndërsa, në herën e dytë e kemi pasur destiancionin
dhe ata kanë shkuar shumë më shpejt”.

“Ky ka qenë edhe
demonstrimi në Kampionatin Evropian. Nëse ju nuk jeni në koordinim t’i ndihmoni
njëri-tjetrit… duhet ta keni edhe një lider që ju udhëheq. Kemi disktuar që
gjatë lundrimit do të ketë edhe valë të mëdha, që për neve ka pasur gjatë
Kampionatit Botëror”.

Bunjaki tani mban
postin e instruktorit teknik në UEFA, si dhe është këshilltar në klubin e
Feronikelit. /Gazeta Express/