Conte shpërthen ndaj Interit: Klubi nuk më mbrojti mua e as lojtarët


Futboll


Gazeta Express

02/08/2020 11:15

Interi e mbylli kampionatin me fitore dhe përfundoi i dyti në renditje, por në fund të ndeshjes së luajtur kundër Atalantës Antonio Conte dha mesazhe të rëndësishme për klubin. Në mikrofonat e “DAZN”, trajneri i zikaltërve nxori në pah të gjitha dyshimet e tij për të ardhmen.

“Fillimi i një cikli tek Interi? Shikoni,
ishte një vit shumë i vështirë për mua. Edhe personalisht. Do të bëjmë të
gjitha vlerësimet për vitin e ardhshëm. Unë e di çfarë kam bërë për të marrë
Lukakun, më besoni për këto që po them. Nuk ishte një shëtitje. Tani do të
japim më të mirën për Europa League, atëherë do të bëjmë vlerësimet në
përgjithësi, jo vetëm ato teknike.”

I drejtpërdrejtë Conte me kritikat ndaj
drejtuesve, për disa situata të pakëndshme të krijuara gjatë sezonit.

“Puna e lojtarëve dhe imja nuk është
vlerësuar. Kam parë sulme ndaj meje dhe Interit dhe nuk jam mbrojtur nga klubi.
E kuptoj gjithashtu se kur je i dobët është e vështirë të mbrosh ekipin dhe
trajnerin. Këto 82 pikë i meritojmë ne, unë dhe futbollistët.”

Tekniku nga Salento hyn më në detaje në
kritikat e tij ndaj drejtuesve më të lartë.

“Kur dëshiron të zhdukësh hendekun që ke me
Juventusin duhet të jesh i fortë në fushë, por mbi të gjitha jashtë saj. Nuk ka
nevojë të flasësh me presidentin. Presidenti është në Kinë. Kur njerëzit marrin
një përgjegjësi, duhet të përmbushin detyrën dhe kjo nuk ka ndodhur tek Interi.
Kur unë dhe lojtarët jemi sulmuar, kemi pasur zero mbrojtje nga klubi.”

Conte i vë në dukje të gjitha problemet që ai
pati në sezonin e tij të parë tek Interi dhe i dërgon një mesazh të qartë
kupolës drejtuese.

“Më treguan një intervistë të Spallettit të
vitit 2017. Ai fliste për gjëra shumë serioze. Jemi në vitin 2020, është akoma
e njëjta situatë. Po rritemi në fushë e duhet të ndodhë e njëjta jashtë saj.
Duhet të shohim nëse pronari e kupton këtë. Unë kam ide të qarta dhe kam një
vizion, e kuptoj rrugën që duhet të bëjmë. Nuk e kam fjalën për merkaton, nuk
hyn farë në këto që po them. Nuk më pëlqeu asgjë nga ajo që ndodhi në këtë vit.
Mund të bëjë rrufepritësen në sezonin e parë, por në të dytin … Unë tregoj
fytyrën time para të gjithëve. Deri në një pikë caktuar, askush nuk është
budalla.”/SS/