Drita e pret Gjilanin me synim për ta vazhduar ecurinë e fitoreve


Futboll


Gazeta Express

18/10/2020 11:42

Drita do të kërkojë ta vazhdojë ecurinë e përkryer të fitoreve në sezonin e ri në Superligë, në përpjekje për ta mbrojtur titullin, por do t’i duhet ta kalojë pengesën më të vështirë që mund ta ketë, rivalin e qytetit Gjilanin.

Kampionia në fuqi e Superligës është nikoqire e të kuqve në
Stadiumin e Qytetit në Gjilan, në takimin derbi që nis në orën 13:30, raporton
Gazeta Express.

Ndeshja do të luhet pa praninë e tifozëve në stadium dhe nën
masa të rrepta parandaluese të pandemisë së koronavirusit.

Drita është në një ecuri të përkryer prej tri fitoreve në
tri ndeshje deri tani këtë sezon dhe do të kërkojë ta vazhdojë atë edhe ndaj
rivalit më të madh.

Gjilani, në anën tjetër, ka barazuar dy herë dhe ka fituar
dy herë të tjera pasi e humbi ndeshjen hapëse të këtij sezoni.

Pavarësisht se i ka dy ndeshje më pak se skuadrat e tjera në
Superligë, për shkak se ishte e zënë me kualifikime për Ligën e Evropës në
fillimsezon, Drita renditet e dyta me 9 pikë, një më shumë se Gjilani që është
në pozitën e pestë.

Ballkani mbetet lider me 16 pikë, pas gjashtë ndeshjeve,
pasi dje e mundi 4:2 Arbërinë. /Gazeta Express/