Muriqi do të vazhdojë të luajë në Turqi, të paktën deri në verë…

Mediet në Turqi raportojnë se presidenti Ali Koq ka vendosur që ta mbajë sulmuesin kosovar të paktën deri në verë, duke qenë se ai llogaritet si një ndër faktorët kryesorë në arritjen e objektivit, titullit të kampionit.

Vlera e Muriqit në treg aktualisht llogaritet rreth 20 milionë euro, ndërsa klubet e interesuara kryesisht janë nga Anglia, me Tottenhamin dhe Burnleyn që kanë shfaqur interesim më të madh për sulmuesin e Kombëtares së Kosovës.

25-vjeçari sivjet ka shënuar 10 gola në 16 ndeshje në kampionat dhe ka 3 asistime.

Viti 2019 ishte i jashtëzakonshëm për Muriqin, në 40 ndeshje për Kosovën dhe klubet ku luajti, realizoi 27 gola dhe 10 asiste.

Për kontributin e madh në Kombëtaren e Kosovës si dhe për arritjet personale gjatë vitit të kaluar, Federata e Futbollit të Kosovës e shpërbleu me çmimin Futbollisti i Vitit.