“E shita medaljen e artë për të blerë kokainë, e harxhova për dy ditë”


Futboll


Gazeta Express

23/05/2020 23:43

Ish-mbrojtësi i Sao Paulos, Flavio Donizete, e ka zbuluar betejën e tij 13-vjeçare me varësinë nga droga, që e kishte shtyrë atë ta shesë edhe medaljen më të vlefshme që e kishte fituar gjatë karrierës së tij.

Flavio Donizete u ngrit nga akademia e Morumbi
si i ri dhe sezoni i tij i dytë me klubin brazilian rezultoi të jetë njëri ndër
më të suksesshmit në historinë e klubit, transmeton Gazeta Express.

Ai luajti një rol periferik gjatë sezonit në vitin
2005, kur Sao Paulo e fitoi titullin e Copa Libertadores, para se të arrinte ta
fitonte edhe Kupën e Botës për Klube, duke e mposhtur në finale Liverpoolin.

Qendërmbrojtësi hyri në ekip për atë ndeshje vetëm
shkaku i lëndimit të Leandro Bonfim, por medaljen të cilën e mori për fitoren e
skuadrës së tij, ai e sakrifikoi për ta ushqyer varësinë që ia shkatërroi karrierën
si talent.

“E shita për të blerë drogë. E shita për rreth
3500 dollarë. Kur më erdhën paratë, i shpenzova pothuajse të gjitha për të blerë
kokainë. Porosinë e parë të kokainës, në vlerë prej 500 dollarësh e konsumova për
dy ditë. Sa më shumë para që kisha, aq më shumë drogë doja”, ka thënë Donizete.

“Pasi fillova të përdor kokainë, humba gjithçka
tjetër. Në fillim s’e përdorja shumë. Por, kur kokaina u bë pjesë e rëndësishme
e jetës time, unë humba gjithçka tjetër. Çdo kursim e harxhoja për drogë. Nuk e
lejoja veten pa drogë. Në mëngjes, pasdite e në mbrëmje përdorja kokainë”.

“Çdo para në llogarinë time, çdo gjë që e
kisha në posedim… i humba të gjitha. Humba gjithçka, përveç bashkëshortes time,
fëmijëve dhe familjes time, që janë edhe sot me mua”.

36-vjeçari tani më nuk përdor drogë dhe punon
si kopshtar. Ai ende dëshiron t’i kthehet karrierës si futbollist, mirëpo pendohet
për të gjitha vitet e humbura.

“Gjëja për të cilën pendohem më së shumti në jetë
është që e provova kokainën. Më shkatërroi”, tha Donizete. /Gazeta Express/