Edhe Mbappe kërkon drejtësi për vrasjen e George Floyd


Futboll


Gazeta Express

30/05/2020 23:40

Ylli francez i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, e ka shprehur përkrahjen e tij për protestat që po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi që një burrë amerikan me ngjyrë u vra nga një polic në Minnesota.

Të hënën në mbrëmje, George Floyd u vra nga një
polic amerikan, i cili e kishte mbajtur gjurin e vet mbi qafën e 46-vjecarit për
më shumë sesa tetë minuta. Ky veprim bëri që të fillojnë protesta jo vetëm në Minnesota,
por në shumë qytete të SHBA-së gjatë javës, transmeton Gazeta Express.

Polici amerikan është arrestuar dhe akuzohet për
vrasje të gradës së tretë, mirëpo, kjo nuk ka bërë që protestat të ndalen, pasi
që ato, deri të premten në mbrëmje, janë shpërndarë në të paktën 30 qytete në SHBA.

Disa nga protestat që kishin nisur si paqësore u bënë të dhunshme, pasi që pati përplasje mes policëve dhe protestuesve, ndërsa u dëmtuan edhe disa ndërtesa.

Gjatë ndeshjes të së shtunës në Bundesligë kundër Werder Bremenit, mesfushori amerikan i Schalkes, Weston McKennie, e mbajti një shirit ku kërkonte drejtësi për vrasjen e Floyd, ndërsa të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe Mbappe në rrjete sociale. /Gazeta Express/