Ende nuk ka filluar pagesa për punëtorët të cilët kanë humbur vendin e punës si pasojë e Pandemisë COVID-19 siç parashihet me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Drejtues të institucioneve kanë bërë të ditur se institucionet përkatëse janë duke shikuar mundësitë e zbatimit të këtyre pagesave. Ndërsa, përfaqësuese të Sindikatës së Sektorit Privat po vlerësojnë se shuma e ndarë prej 10 milionë eurosh për këtë kategori nuk është e mjaftueshme.

Shuma prej 300 eurosh për tre muaj, e cila parashihet me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, nuk ka filluar të shpërndahet për qytetarët të cilët e kanë humbur vendin e punës si pasojë e Pandemisë Covid-19. Në lidhje me këtë, drejtori i i Agjencisë së Punësimit, Drin Haraçia, në një përgjigjeje për Radio Kosovën, bëri të ditur se janë duke punuar në këtë drejtim me institucionet përkatëse.

“Institucionet përkatëse si Administrata Tatimore, Thesari, Ministria e Financave, Ministria e Punës, ne si agjenci, për shkak se jemi në kuadër të Ministrisë se Punës, jemi duke shikuar modalitetet se si të ekzekutohet kjo masë. Jemi duke shikuar metodën se si të ekzekutohet kjo masë dhe se cili institucion duhet ta bëjë.”
Haraqia tha se kjo çështje duhet të diskutohet ndërmjet të disa institucioneve, në mënyrë që të bëhet verifikimi i saktë i atyre që do të përfitojnë. Dhe se për zbatimin e kësaj mase kërkohet edhe një herë miratimi nga ana e qeverisë.

‘Institucionet përkatëse duhet të verifikojnë se çfarë dëshmie duhet për ta pasur. Çka duhet nxjerrë në institucionet përkatëse, sepse, nëse ata kanë qenë në punë, ata i kanë paguar tatimet, ato i kanë ATK-ja. Çështja duhet të trajtohet ndërmjet disa institucioneve. E pastaj duhet të shkojë prapë kjo çështje të aprovohet edhe një herë në qeveri e të tjera. Janë disa procedura. Ne jemi duke u marrë me këtë temë, nuk është që e kemi lë në heshtje. Të gjitha institucionet janë duke u marrë me këtë temë, kjo është kryesorja.”

E kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një përgjigjeje për Radio Kosovën, theksoi se vetëm gjatë kohës së pandemisë, vendin e punës e kanë humbur mbi 70 mijë punëtorë. Ndërsa, ndarja e shumës prej 10 milionë eurosh për këtë kategori nuk do të përfshinë të gjithë ata të cilët kanë humbur vendet e tyre të punës.

“ Me pakon për Rimëkëmbjen Ekonomike janë ndarë vetëm 10 milionë euro e vendin e tyre të punës e kanë humbur mbi 70 mijë punëtorë që kanë qenë në sistem të ATK-së. Me këtë shumë të ndarë nga qeveria mund të bëhen pagesat vetëm 11 mijë e 100 punëtorë.”

Me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike parashihet që nga buxheti i Kosovës të paguhen pagat e punonjësve në sektorin privat. Konkretisht, ata punëtorë të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna, për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj, pas datës 29 shkurt e deri më 30 dhjetor 2020.