Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka thënë se trajnerët dhe kryetarët e klubeve duhet të mbajnë përgjegjësi për akuzat publike të pabaza që i bëjnë në drejtim të gjyqtarëve.

Referimi ishte njëra ndër temat kryesore gjatë stinorit vjeshtor në Ipko Superligën e Kosovës pasi që disa klube u bënë bashkë duke i akuzuar gjyqtarët kosovarë se po u mbajnë anën qëllimisht disa klubeve e po i dëmtojnë disa të tjera, transmeton Gazeta Express.

Eroll Salihu ka insistuar se gabimet e
gjyqtarëve të Kosovës kanë qenë të paqëllimshme dhe se ato ndodhin si kudo
tjetër në garat evropiane, mirëpo shtoi se vetë trajnerët dhe kryetarët e
klubeve duhet të jenë më të kujdesshëm për deklaratat e tyre publike.

“Edhe kualifikimi i një zyrtari të klubit, i
një trajneri apo kryetari, është vepër dhe duhet të sanksionohet. Vetë
kryetarët e klubeve në takimin që e patëm kanë qenë shumë të hapur dhe kanë
thënë se edhe kryetarët e klubeve duhet të dënohen e edhe trajnerët nëse
shkojnë me këso aludime”, ka thënë Salihu në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Por, edhe trajnerët, të cilët shpesh e
teprojnë me disa kualifikime, duhet të përmbahen nga deklaratat të cilat mund
të sanksionohen lehtë dhe shpesh ia nxehin gjakun edhe tifozëve të futbollit”.

“Duhet ta kuptojnë përgjegjësinë që e kanë për
fjalën e tyre publike. Shumë pak flitet për punën që bëhet brenda Federatës së
Futbollit të Kosovës.

Mysafiri tjetër në Favorit, Bylbyl Sokoli,
reagoi duke thënë se deklaratat e trajnerëve s’duhet të gjykohen aq ashpër,
pasi që trajnerët në Kosovë janë mjaft objektiv dhe kur ata reagojnë pas
ndeshjeve, e bëjnë këtë nën ndikimin e emocioneve. /Gazeta Express/