Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që përshpejtimi i shpërndarjes së vaksinave kundër COVID-19, në kombinim me stimujt fiskalë dhe monetarë, do të ndihmojnë rritjen e ekonomisë botërore këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Huadhënësi botëror tha në raportin e ri, të publikuar të martën, se ekonomia e botës pritet të rritet për 6 për qind këtë vit dhe 4.4 për qind vitin e ardhshëm.

Shifrat janë më të larta se parashikimet e bëra në janar për 5.5 për qind rritje këtë vit dhe për 4.2 për qind në vitin 2022.

“Rritja pasqyron mbështetjen shtesë fiskale në disa ekonomi të mëdha, rimëkëmbjen e mundësuar nga vaksinat në gjysmën e dytë të vitit 2021 dhe përshtatjen e vazhdueshme të veprimtarisë ekonomike”, tha përmes një deklarate FMN-ja.

Megjithatë, FMN paralajmëroi se ky vështrim shoqërohet edhe me “pasiguri të mëdha”.

Në të gjithë botën, bankat qendrore dhe qeveritë kanë lëshuar triliona dollarë për të luftuar recesionin e shkaktuar nga pandemia.

Ky recesion e ka tkurrur ekonominë botërore për rreth 3.3 për qind në vitin 2020.

Shpërndarja e vaksinave në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar optimizëm se jeta mund të marrë së shpejti një pamje më normale.

Disa shtete në SHBA tashmë i kanë hequr kufizimet e lidhura me pandeminë.

Gati një në tre amerikanë ka marrë një dozë të vaksinës kundër COVID-19 dhe gati një në katër është vaksinuar plotësisht me dy doza.

Por, në Evropë, shpërndarja e vaksinave vazhdon të jetë e ngadalshme, për shkak të, siç thonë zyrtarët në Bruksel, problemeve me furnizim. /REL/