Menaxhmenti i KOSTT priti në takim drejtorin e çështjeve politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani me bashkëpunëtorë priti në takim drejtorin e çështjeve politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës z.Sylë Ukshini.

Në kuadër të bashkëpunimit ndër-institucional, z.Ukshini u njoftua për procesin e gjatë disavjeçar nëpër të cilin ka kaluar KOSTT drejt pavarësimit energjetik të Kosovës nga Blloku SMM dhe fillimit të operimit të pavarur në kuadër të Bllokut AK, zona sinkrone e Evropës Kontinentale të ENTSO-E. “Nga data 14 dhjetor 2020 kur hyri në fuqi Marrëveshja e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E, kemi një realitet të ri të funksionimit të pavarur të KOSTT në kuadër të Bllokut AK me Shqipërinë i cili po tregohet i suksesshëm dhe në këtë drejtim edhe performansa e KOSTT në balancimin e sistemit të Kosovës pas pavarësimit, është vlerësuar lartë nga ana e Qendrës Koordinuese për Evropën Kontinentale-Swissgrid, në kuadër të ENTSO-E)” theksoi z.Hasani.

Me këtë rast, drejtori i çështjeve politike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z.Ukshini përgëzoi KOSTT-in për sukseset dhe të arriturat në këtë drejtim.

z.Ukshini gjithashtu vizitoi edhe Qendrën Nacionale Dispeçerike në KOSTT ku u njoftua rreth operimit në kohë reale të Sistemit të Transmetimit së Republikës së Kosovës.