Shtabi komunal emergjent në Komunën e Kamenicës ka lëshuar urdhëresë për furrat dhe operatorët e tjerë, ku obligohen që produktet e tyre të ambalazhohen. Po ashtu urdhërohen punëtorët që të përdorin pajisjet mbrojtëse, raporton KOHA.
“Urdhërohen të gjitha furrat dhe operatorët tjerë ekonomikë në territorin e Komunës së Kamenicës që paraprakisht t’i ambalazhojnë të gjitha bukët dhe produktet tjera të miellit. Asnjë bukë apo produkt tjetër i miellit nuk guxon të shitet pa qenë paraprakisht i ambalazhuar. Personeli patjetër duhet të punojë me mjete mbrojtëse maska, dorëza, përparëse dhe kapelë. Çdo operator ekonomik duhet t’i marr masat higjienike parandaluese dhe të dezinfektojë në mënyrë kontinuele lokalin dhe hapësirën punuese, si dhe të ketë dezinfektues për personelin”, thuhet në këtë urdhëresë.
Gjithashtu është urdhëruar që të vendosen njoftimet për distancën që duhet mbajtur klientët si dhe masat mbrojtëse që duhet të ndërmerren.
Është tërhequr vërejtja se bizneset që nuk respektojnë këtë urdhëresë do të ndëshkohen deri në mbylljen e bizneseve.
“Për zbatimin e kësaj urdhërese përkujdeset sektori i inspektorati të komunës”, thuhet në urdhëresën e komunës.

The post Furrat në Kamenicë urdhërohen t’i ambalazhojnë bukët appeared first on Epoka e Re.