Besim Kadriu, mbi 35 vjeç, nga Fusha Kosova, qe shtatë vjet punon në një kompani të vogël prodhuese, pa kontratë dhe herë pas herë me orar të stërzgjatur. Ai nuk dëshiron ta bëjë publik emrin e kompanisë ku punon, por thotë se disa herë ka kërkuar nënshkrimin e kontratës të punës, në mënyrë që t’i mundësohet pagesa e kontributeve në Fondin e Kursimeve Pensionale.

“Unë kam kërkuar të kem kontratë, të punoj tetë orë në ditë dhe të kem dy ditë pushim, thjesht të kem kushte të favorshme për punë. Por, nuk e bëjnë kontratën sepse nuk i konvenon pronarit, sepse duhet të paguajë obligime tatimore. Unë varësisht prej nevojës së kompanisë, punoj edhe jashtë orarit, ndodh 12 orë në ditë”, tha Kadriu.

Besim Kadriu është vetëm njëri nga shumë persona që punojnë pa kontratë. Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, thotë se 50 për qind e punëtorëve në këtë sektor nuk kanë të lidhura kontrata pune me punëdhënësin.

“Nuk kanë kontrata pune, nuk kanë asnjë udhëzim për t’u zbatuar ku përcaktohen kushtet e punës. Në mungesë të kësaj, rreth 80 për qind e punëtorëve në sektorin privat punojnë jashtë orarit të punës”, tha Azemi për Radion Evropa e Lirë.