Agjencia Kosovare e Privatizimit pritet të shuhet, përkatësisht të funksionojë si një agjenci e veçantë brenda Qeverisë së Kosovës. Sipas njohësve të rrethanave, ky proces mund të ndodhë vetëm me ndryshime ligjore. Përfundimi i procesit të privatizimit, i filluar para shumë viteve, është i domosdoshëm për t’i hapur rrugë shuarjes së kësaj agjencie

Shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe transferimi i saj në kuadër të një agjencie brenda Qeverisë së Kosovës është njëra ndër prioritetet e kryeministrit Albin Kurtit për sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit gjatë qeverisjes së tij, shkruan sot gazeta “Zëri”

Me krijimin e fondit sovran pritet që asetet strategjike të Kosovës të kalojnë në duart e këtij fondi. Mirëpo një gjë e tillë sipas njohësve të çështjeve të ekonomisë po shihet me rrezik. Sipas tyre, këto vendime kanë rrezik për shkak që, siç theksojnë ata, sado që të jetë e parashikuar mirë reforma, të njëjtat varen nga jetëgjatësia e qeverisë. Po ashtu edhe mospërfundimi i procesit të privatizimit po shihet si pengesë për realizimin e këtij synimi. Kjo pasi që AKP-ja është ende në proces të privatizimit në kuadër të tranzicionit në këtë sektor.


 Ndërsa ish-anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik gjatë legjislaturës së VI i kanë pohuar “Zërit” se shuarja e AKP-së duhet të bëhet me kohë dhe me procedura. Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar si një organ i pavarur publik, i cili i ushtron funksionet dhe përgjegjësitë në mënyrë plotësisht të pavarur dhe të përcaktuara me ligj. Në bazë të këtyre premisave AKP-ja ka zotësi të plotë juridike, posaçërisht për të bërë kontrata, për të marrë, për ta mbajtur ose për ta shitur pronën, si dhe ka të gjitha kompetencat e vetëkuptueshme për përmbushjen në tërësi të detyrave dhe të kompetencave të dhëna me këtë ligj; si dhe të padisë e të paditet në emër të saj.


Ish-deputetja e PDK-së, njëherësh edhe ish-anëtare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik gjatë legjislaturës së kaluar, Safete Hadërgjonaj, në një prononcim për gazetën “Zëri” pohoi se shuarja e AKP-së duhet të bëhet me kohë. Megjithatë, sipas saj, duhet pasur kujdes që kjo agjenci të shuhet sipas procedurave të nevojshme, si dhe hap pas hapi.

“AKP-ja ndoshta me kohë duhet të shuhet. Por edhe këtu duhet pasur kujdes, pasi procedura për shuarjen e saj dhe inkuadrimin në Qeveri, siç është paraparë, duhet të kryhet hap pas hapi, derisa të përfundojnë të gjitha punët dhe detyrat që i ka dhe që është e angazhuar AKP-ja”, ka thënë ajo për “Zërin”./Zëri