Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka thënë se të premten në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës do të formojnë Fondin Emergjent për vërshimet të shkaktuara gjatë ditëve të kaluara nga reshjet e shiut dhe borës.

Gjatë një takimi online me kryetarët e komunave të Kosovës, Hoti ka kërkuar nga ata që të evidentojnë të gjitha dëmet që kanë nga vërshimet dhe të parashtrojnë kërkesat për ndihmë.

“Unë me disa prej jush kam biseduar dhe në disa vende kam qenë në terren për ta parë gjendjen për së afërmi. Kemi pasur fat që nuk e kemi pësuar asnjë rast me fatalitet si pasojë e këtyre vërshimeve. Kam parë që ka dëme të konsiderueshme në shtëpi banimi dhe në toka bujqësore. Unë kërkoj nga ju që t’i evidentoni problemet që keni dhe të komunikoni me Ministrinë e Mbrojtje, për t’iu ndihmuar FSK-ja në vendosjen e urave aty ku ka nevojë dhe gjëra të tjera”, tha Hoti, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë që sa më shpejtë duhet formohen komisionet komunale për të bërë vlerësimin e dëmeve nga vërshimet.

“Komisionet komunale për të bërë vlerësimin e dëmeve duhet të formohen sa më shpejtë. Këto komisione në secilën komunë duhet të identifikojnë familjet që janë në gjendje më të rëndë dhe që kanë nevojë të ndihmohen. Nesër [e premte] në mbledhjen e radhës të Qeverisë në detyrë do të diskutojmë për formimin e Fondit Emergjent dhe do të caktojmë tre ministra, të cilët nga java e ardhshme do të jenë gati për të ndihmuar të gjithë qytetarët që kanë nevojë, nga ju kërkojë që sa më parë të shikoni dhe të nxirrni evidencë se cilat janë dëmet nga vërshimet dhe ato t’i paraqitni tek Fondi Emergjent”, tha ai.

Hoti ka folur edhe për Fondin e Rimëkëmbjes Ekonomike, duke thënë se, do të ndahen 7.6 milionë euro si kompensim për komunat.

“Ministria e Financave e ka përgatitur raportin për shpërndarjen e fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike, ku pjesë e këtij vendimi do të jetë edhe fondi prej 7.6 milionë euro që do t’iu shpërndahet komunave për të kompensuar grantin e përgjithshëm, për shkak se kanë rënë të hyrat totale”, ka përfunduar Hoti.