Kryetari në detyrë, Enver Hoxhaj bashkë me kryetarin e degës së PDK-së në Suharekë, Ramë Vataj sot ka takuar përfaqësuesit e Shoqatës së Bizneseve në këtë qytet.


Gjatë takimit me 40 ndërmarrës të bizneseve të sektorëve të ndryshëm, Hoxhaj ka thënë se PDK-ja si parti e qendrës së djathtë, në qendër të programit të saj zhvillimor e ka vendosur mbështetjen për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat paraqesin shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës.


“Ishte kënaqësi të takoj ndërmarrësit e Suharekës dhe të bisedoj me ta për programin ekonomik të PDK-së dhe Qeverisë që do ta udhëheqim. Natyrisht se ne e kemi një vizion të qartë se çka po ndodhë me zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kam marrë ide dhe proprozime konkrete nga bizneset dhe PDK-ja do të dalë me program të plotë ekonomik për sektorin privat, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që janë shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe do të bëj përpjekje që këto kërkesa të jetësohen në 100 ditëshin e parë”, ka thënë Hoxhaj.


Tutje, ai ka thënë se qëllimi i këtyre masave është eliminimi i procedurave burokratike për bizneset, sidomos për krijimin e bizneseve të reja duke krijuar një skemë e cila ka për synim të mbështesë kryesisht ndërmarrësinë te të rinjtë.


Po ashtu, ai foli edhe për të mbështetjen e punëtorëve në sektorin privat, trajtimin e dinjitetshëm dhe mbrojtjen me ligj të të drejtave të tyre.


Sipas tij, përmes këtyre masave synohet të bëhet financimi i programeve të ndryshme të edukimit dhe të trajnimit për ndërmarrësit dhe për personelin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me qëllim të rritjes së kulturës ndërmarrëse dhe të pajisjes me njohuri rreth praktikave moderne të menaxhimit./Zëri