Inter nuk shkëlqen, por vijon të fitojë dhe të thellojë diferencën me ndjekëset, pasi tani e sheh veten plot 11 pikë larg Milanit të vendit të dytë.

Në sfidën e prapambetur nga java e 27, zikaltrit mposhtën Sassuolon me shifrat 2-1 në “San Siro’, duke regjistruar kështu fitoren e 10 radhazi, ose të gjithë ndeshjet e luajtura në fazën e dytë.

Edhe këtë 90-minutësh në “San Siro”, skuadra e Contes u rreshtua mirë mbrapa dhe i besoi daljes së shpejtë në kundërsulm, ku pasi kërcënoi me Hakimin, gjeti avantazhin me Romelu Lukakun në minutën e 10’.

Pas një daljeje të bukur nga krahu i majtë i sulmit, Young hodhi një krosim të saktë në zonë, aty ku Lukaku i vodhi kohën rumunit Chiriches dhe dërgoi topin në rrjetë, duke shënuar golin e 21-të sezonal dhe të parin me kokë.

Në minutën e 67’, menjëherë pas një aksioni të rrezikshëm të Sassuolos, zikaltrit zbritën shpejt në kundërsulm dhe Lukaku shërbeu për Lautaro Martinez, që nuk e pati të vështirë të shënojë edhe golin e dytë.

Sassuolo provoi të reagojë dhe rihapi takimin me anë të Traore në minutën e 85-të, ndërsa deri në fund Interi shpërdoroi dy mundësi flagrante me Sanchez e Hakimin dhe shënoi edhe një gol të tretë me Lukakun, por që u anulua për pozicion jashtë loje.

Reagon mjaft mirë edhe Juventus, që pas dy ndeshjeve radhazi pa fitore, ia doli të triumfojë me rezultatin 2-1 përballë Napolit në ndeshjen e prapambetur nga java e tretë e kampionatit.

Në një kohë kur e ardhmja e Andrea Pirlos ishte vënë në dyshim serioz dhe mediat italiane kishin nisur aludimet për pasuesin e tij, bardhezinjtë ia dolën të marrin një 3-pikësh mjaft të vlefshëm në ndeshjen direkte për një vend në katërshe ndaj Napolit.

Cristiano Ronaldo në pjesën e parë dhe Paulo Dybala në të dytën shënuan për bardhezinjtë, ndërsa Napoli rihapi ndeshjen me Lorenzo Insignen, që ekzekutoi saktë një 11-metërsh në minutën e 90’, por nuk kishte më kohë për të shmangur humbjen.

Me këtë fitore Juventusi ngjitet përkohësisht në vendin e tretë me 59 pikë, një më tepër se Atalanta dhe tre më shumë se Napoli, me të cilat do të duelojë deri në fund për një vend në zonën Champions.