Interi e pranon se Messi do të pensionohet në Barcelonë


Futboll


Gazeta Express

02/08/2020 11:53

Shefi ekzekutiv i Interit, Giuseppe Marotta, i ka hedhur poshtë edhe një herë thashethemet se Lionel Messi do t’i bashkohet gjigantit italian, duke i quajtur ato fantazi dhe duke e pranuar se superylli argjentinas do të pensionohet në Barcelonë sipas të gjitha gjasave.

Pakënaqësitë dhe zemërimi i Messit në Barcelonë
muajt e fundit i ka nxitur thashethemet për të ardhmen e tij në Camp Nou, posaçërisht
pasi Real Madridi ia rrëmbeu titullin nga dora në La Liga këtë sezon, transmeton
Gazeta Express.

Dhe derisa mediat sugjeronin në fillim të verës
se atij do t’i bashkohej në Barcelonë bashkatdhetari i vet Lautaro Martinez, tani
thuhet se dyshja mund të luajë së bashku në Itali, në fakt.

Marotta, megjithatë, e ka hedhur poshtë çdo mundësi
që argjentinasi t’i bashkohet Interit këtë verë, duke thënë se ai dhe Barça përshtatet
në mënyrë të përsosur.

“Duhet të jemi real, kjo është fantazi”, tha
Marotta pas fitores së Interit 2:0 kundër Atalantas të shtunën në Serie A, një fitore
që ia siguroi vendin e dytë skuadrës së Antonio Contes në përfundim të sezonit.

“Të gjithë do ta donin Messin, por do të ishte
mungesë respekti ta ushqenim fantazira, sepse e tillë është kjo. Duhet t’i
kthehemi realitetit, duke e ditur se Messi është lojtar i madh por është i
Barcelonës. Ai është në një mjedis të përsosur. Mendoj se ai do të pensionohet
atje”, shtoi ai. /Gazeta Express/