Agjencia Kosovare e Privatizimit pritet të shuhet, përkatësisht të funksionojë si një agjenci e veçantë brenda Qeverisë së Kosovës. Sipas njohësve të rrethanave, ky proces mund të ndodhë vetëm me ndryshime ligjore. Përfundimi i procesit të privatizimit, i filluar para shumë viteve, është i domosdoshëm për t’i hapur rrugë shuarjes së kësaj agjencie

Shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe transferimi i saj në kuadër të një agjencie brenda Qeverisë së Kosovës është njëra ndër prioritetet e kryeministrit Albin Kurtit për sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit gjatë qeverisjes së tij. Me krijimin e fondit sovran pritet që asetet strategjike të Kosovës të kalojnë në duart e këtij fondi. Mirëpo një gjë e tillë sipas njohësve të çështjeve të ekonomisë po shihet me rrezik. Sipas tyre, këto vendime kanë rrezik për shkak që, siç theksojnë ata, sado që të jetë e parashikuar mirë reforma, të njëjtat varen nga jetëgjatësia e qeverisë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Sipas Mustafë Kadrijajt, njohës i çështjeve të ekonomisë, shuarja e AKP-së bart një dozë të rrezikut, pasi një gjë e tillë mund të krijojë paqartësi në administrim.

“Nëse shihet prapa, në Kosovë partitë politike kanë dështuar t’i jetësojnë planet për zhvillim ekonomik si pasojë e moszgjatjes së qeverisjes së tyre. Një gjë është dëshmuar që nga paslufta, sado që të jetë e parashikuar mirë reforma, nëse nuk ka jetëgjatësi Qeveria vetëm do të krijonte paqartësi në administrim. Ta shuash AKP-në ka edhe një dozë të rrezikut, pasi nëse dështon ose menaxhohet jomirë do të bëhet edhe më keq, përderisa qytetari ia ka dhënë besimin për një qeverisje më të mirë”, ka thënë Kadrijaj për “Zërin”.

Duke folur mbi këtë synim të qeverisë “Kurti”, sipas Kadrijajt, nuk është e nevojshme reduktimi i institucioneve.

Sipas tij, qeverisja e re duhet ta ketë parasysh që reformat nuk mund të bëhen me vendime, por me krijimin e ambientit ligjor dhe infrastrukturor.

“Nuk jam i prirë për paragjykime, por çdo vendim i ri bart në vete rrezikun se si do të funksionojë dhe sa do të jetë me frytdhënëse në arkën e shtetit, sepse nuk është patjetër vetëm të reduktojmë institucione, por të jenë kontribuuese në arkën e shtetit dhe për lehtësira në të bërit biznes në Kosovë. Z. Kurti duhet ta ketë të qartë se nuk bëhen reforma me vendime, por me ndryshim në ligje dhe me krijimin e ambientit ligjor e infrastrukturor, që do të ketë lehtësira në të bërit biznes nëKosovë dhe të njëjtat do të kontribuonin në arkën e shtetit”, ka thënë më tutje ai. /Zëri