Kane: Ky ekip do të arrijë diçka të veçantë këtë sezon


Futboll


Gazeta Express

27/10/2020 8:56

Kapiteni i Tottenhamit, Harry Kane, beson se ekipi i tij është në gjendje të arrijë diçka të veçantë këtë sezon, pas fitores 1:0 kundër Burnley e cila i ngrit në pozitën e pestë në Premierligë.

Goli me kokë i Son Heung-Min në pjesën e dytë si pasojë e një
pasimi nga Kane ia fitoi tri pikë skuadrës së Jose Mourinhos, e cila hasi në vështirësi
të shumta për ta thyer mbrojtjen e vendosur të Burnley deri në atë moment,
transmeton Gazeta Express.

Pasi e humbi ndeshjen hapëse të sezonit kundër Everonit,
klubi nga Londra veriore është e pamposhtur në 10 ndeshjet e fundit në të
gjitha garat.

Kalimi në fazën grupore në Ligën e Evropës dhe në çerekfinale
të Carabao Cup dhe ecuria e gjatë pa humbje i ka rritur pritjet në mesin e përkrahësve
të klubit.

“Mendoj se jemi në një fazë kur tani jemi shumë të bashkuar.
Shumë prej nesh i kemi katër apo pesë vjet së bashku këtu. Dhe tani prurjet e
reja janë shumë të mira dhe të gjithë ne po fitojmë përvojë”, tha Kane.

“Ne e dimë se me ekipin që e kemi dhe me lojtarët që i kemi,
mund të arrijmë diçka të veçantë”, shtoi ai. /Gazeta Express/