Kapiteni i Chelsea, Cesar Azpilicueta, ia ka uruar ish-trajnerit të vet, Jose Mourinho, të gjitha të mirat si trajner i ri i Tottenham.

Mourinho u emërua trajner i Tottenhamit të mërkurën, një ditë
pasi klubi e shkarkoi trajnerin argjentinas Mauricio Pochettino, transmeton
Gazeta Express.

Mourinho e kishte udhëhequr Chelseat drejt fitimit të tre
titujve në Premierligë në dy periudhat e tij si trajner në Stamford Bridge, por
tani do të kërkojë sukses me rivalin e ish-klubit, Tottenhamin, vetëm 11 muaj
pasi Manchester Unitedi e shkarkoi.

Portugezi mund t’i është bashkuar rivalit të Chelsea, por
Azpilicueta – i cili e fitoi njërin prej dy titujve të tij në Premierligë nën
udhëheqjen e 56-vjeçarit – ia ka uruar të gjitha të mirat atij.

“Mund të flas vetëm për kohën kur Jose ishte me në Chelsea”,
tha Azpilicueta për Sky Sports News.

“Me të kemi fituar trofe, por jeta në futboll vazhdon. Ia
uroj të gjitha të mirat atij, edhe pse ka shkuar te rivali. Kam kujtime të mira
me të dhe kam luajtur shpesh herë nën udhëheqjen e tij dhe kundër tij”, shtoi
ai. /Gazeta Express/