Këshilli i BE-së, ku bëjnë pjesë qeveritë e 27 shteteve anëtare, ka miratuar sot vendimin për ndarjen e asistencës makrofinanciare prej 750 milionë eurosh për shtetet e Ballkanit Perëndimor për t’u përballur me rënien ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.


Ndihma financiare do të ofrohet në formë të huas me kushte shumë të favorshme, raporton “Zeri.info”.


Nga kjo shumë Kosovës i janë ndarë 100 milionë euro, Shqipërisë 180 milionë, Malit të Zi 60 milionë, Maqedonisë së Veriut 160 milionë dhe Bosnjë e Hercegovinës 250 milionë euro.


“Asistenca e BE-së do t’i ndihmojë këto juridiksione të mbulojnë nevojat e tyre urgjente financiare si pasojë e përhapjes së COVID-19. Bashkë me mbështetjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, fondet do të ndihmojnë në rritjen e stabilitetit makroekonomik dhe të krijojnë hapësirë për të lejuar alokimin e resurseve në drejtim të mbrojtjes së qytetarëve dhe zbutjes së pasojave negative socio-ekonomike të pandemisë së koronavirusit”, ka thënë Këshilli i BE-së në njoftimin për medie.