Klodian Duro e nis me barazim aventurën me Feronikelin


Futboll


Gazeta Express

18/10/2020 16:04

Klodian Duro ka debutuar në stolin e Feronikeli në Superligë, me një barazim pa gola kundër Trepçës ’89 të dielën në Mitrovicë.

Kriza e Feronikeli po shkon duke u thelluar, pasi klubi nga
Drenasi nuk mundi të marrë më shumë se një barazim pa gola kundër Trepçës ’89 në
Riza Lushta, raporton Gazeta Express.

Kjo është ndeshja e pestë më radhë pa fitore për
ish-kampionin e Kosovës, ndërsa barazimi i tretë në pesë ndeshjet e fundit.

Nikli i ndau rrugët me trajnerin Afrim Tovërlani në fillim të
këtij muaji pas humbjes kundër Dritës dhe në vend të tij e solli ish-përfaqësuesin
e Kombëtares së Shqipërisë, Duro.

Duro nënshkroi kontratë dyvjeçare me Feronikelin por nuk
arriti të shtrijë ndikim në lojën e parë në stol.

Feronikeli mbetet i parafundit në Superligë me vetëm gjashtë
pikë nga po kaq ndeshje, tri më shumë se Besa dhe pesë më shumë se Llapi në dy
pozitat e fundit.

Trepça, ndërkohë, shkon në një seri prej tri ndeshjeve pa
fitore, dy humbje dhe një barazim dhe ngel në pozitën e shtatë me shtatë pikë./Gazeta
Express/