Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë,  kanë nënshkruar sot në Mynih të Gjermanisë dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe atë për hekurudha përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, mirëpo, edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.

Nënshkrimi i letrave të interesit ndodhi pak para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Munih.

Këto marrëveshje, u arritën me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili është edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në ceremoninë e nënshkrimit kanë marrë pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe ambasadori Richard Grenell.

Për palën kosovare marrëveshjet i kanë nënshkruar Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Kurse nga pala serbe, të dy marrëveshjet i ka nënshkruar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Ambasadori Grenell, ka deklaruar se pas negociatave dhe marrëveshjes për linjën ajrore, tani u arrit të negociohet edhe çështja e transportit hekurudhor dhe rrugor. “Ajo që kemi bërë sot, është që kemi negociuar për të gjetur mënyrën që të hapim linjën hekurudhore dhe autostradat. Ne kemi negociuar për hapjen e linjës ajrore për fluturime direkte mes Prishtinës dhe Beogradit – dhe tani kemi edhe dy marrëveshje të tjera.  Tani kemi dy marrëveshje më shumë dhe ajo që unë kam biseduar me të dy presidentët është që të përqendrohemi sa më shumë në zhvillimin ekonomik”, u shpreh Grenell.

Sipas tij, edhe presidentët Thaçi e Vuçiq, ishin pajtuar se fokusi i bisedimeve duhet të jetë në çështjet e zhvillimit ekonomik.

 

Kurse, ambasada amerikane në Prishtinë, përmes rrjetit social “Facebook”, ka shpërndarë lajmin për arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se kjo marrëveshje paraqet edhe një hap tjetër të arritjeve të Kosovës në planin e zhvillimit ekonomik. Ai ka falënderuar administratën e presidentit Trump për angazhimet në arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve.

“Ambasador Grenell, të falënderoj për punën e shkëlqyer për këtë marrëveshje. Është një hap tjetër i arritur i progresit pas marrëveshjes së linjave ajrore Prishtinë-Beograd. Marrëveshja e sotme për hekurudha dhe autostrada është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës, pra ajo çka ju duhet njerëzve tonë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Thaçi.

“Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe administratën që gjatë gjithë kësaj periudhe dhe viti po punojnë për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. Kjo është rruga që duhet të ndjekim në të ardhmen dhe të mos mbetemi peng i të kaluarës së hidhur mes vendeve dhe popujve tonë”, theksoi presidenti i Kosovës.

Thaçi ka shkruar edhe në “Twitter”, ku ka falënderuar Shtetet e Bashkuara dhe ambasadorin Grenell për marrëveshjet. “Një tjetër moment historik! Së pari, marrëveshja për trafikun ajror kurse sot kemi nënshkruar marrëveshjen për hekurudhat dhe autostradat. Faleminderit për vendosmërinë. Një hap i shkëlqyeshëm drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare paqeje midis dy vendeve”, ka shkruar Thaçi.

E për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, reagimet e para kanë ardhur nga Qeveria Kurti për marrëveshjen e arritur të premten në Mynih mes Kosovës e Serbisë për hekurudhat dhe autostradat.

Ministri i Punëve të  Brendshëm, Agim Veliu, përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook”, ka thënë se çdo marrëveshje e arritur e cila dërgon në normalizim të raporteve mes dy shteteve, është e mirëpritur.

Ai ka komentuar edhe letrën e sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, mirëpo pa përmendur taksën. Për këtë, Veliu ka thënë se është angazhim i qartë i SHBA-së. “Roli kyç i SHBA-së në dialogun e Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm. Çdo marrëveshje e arritur, e cila çon në normalizim të raporteve mes dy shteteve dhe në njohje reciproke është e mirëpritur. Letra e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, z. Pompeu dhe angazhimi i Ambasadorit Grenell janë tepër të qarta”, ka shkruar Veliu.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se bisedimet nuk ishin të lehta, por në fund, theksoi ai, u arritën marrëveshje të rëndësishme.

Image may contain: 8 people, people standing and suit

Edhe Vuçiq, falënderoi presidentin Trump dhe të dërguarin e tij Grenell që po tregojnë interes të madh për rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Ajo që është nënshkruar është domethënëse për shkak të lirisë së lëvizjes, lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve”, ka deklaruar Vuçiq, duke besuar se marrëveshja do të jetë një lehtësim për serbët që jetojnë në Kosovë, sidomos ata në pjesët qendrore e lindore të Kosovës.

 

 

 

 

The post Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për hekurudha e autostrada appeared first on Epoka e Re.