Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e huasë me Komisionin Evropian për asistencë makro-financiare në vlerë prej 100 milionë euro.


Zyra e BE-së në Kosovë, ka njoftuar se Komisioni Evropian ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Kosovën për t’i hapur rrugë disbursimit të parë prej 50 milionë Euro si asistencë makro financiare (AMF). Kësti i dytë prej 50 milionë € mund të disbursohet më vonë këtë vit ose në fillim të vitit 2021.


“Fondet e AMF do të vihen në dispozicion në formë të kredive afatgjata me kushte mjaft të volitshme. Fondet do të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit makroekonomik, në mënyrë që burimet financiare të qeverisë të mund të ndahen për të lehtësuar pasojat e rënda socio- ekonomike të shkaktuara nga pandemia”, thuhet në komunikat.


Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë e mirëpriti nënshkrimin e marrëveshjes dhe i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që me shpejtësi të vazhdojë me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të financimit, kështu që mos të vonohet procesi i disbursimit të përkrahjes financiare.


Sipas njoftimit, me Memorandum të Mirëkuptimit u dakorduan nëntë kushte të politikave të cilat e mbështesin programin. Ato përfshijnë masat që lidhen me forcimin e financave publike dhe stabilitetin financiar, adresimin e papunësisë së të rinjve dhe përmirësimin e qeverisjes së mirë dhe luftën kundër korrupsionit./Zëri