Ministria e Financave, Hykmete Bajrami, sot ka nënshkruar Marrëveshjen e Kredisë me Bankën Botërore, në vlerë prej 46 milionë euro për “Projektin Emergjent COVID-19 për Kosovën”


Ministria e Financave ka njoftuar se ministrja, Hykmete Bajrami, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Kredisë me Bankën Botërore përmes Asociacionit Zhvillimor Ndërkombëtar, në vlerë prej 46 milionë euro për “Projektin Emergjent COVID-19 për Kosovën”.


“Mjetet financiare do të destinohen në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga COVID-19, duke mundësuar ndër të tjera prokurimin e pajisjeve mjekësore, si dhe forcimin e sistemit shëndetësor publik duke i rritur kapacitetet e testimit dhe zgjerimin e kapaciteteve të Klinikës së Sëmundjeve Infektive. Për më tepër, në kuadër të kësaj kredie, do të mbështeten skemat e ndihmave sociale dhe amvisëritë sipas Pakos së kaluar dhe Programit për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e MF-së.


“Projekti i Emergjencës COVID-19” është arritur pas një bashkëpunimi të ngushtë mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë në njërën anë, dhe Bankës Botërore në anën tjetër./Zëri