Kroos: Si më ndihmoi rrena se isha i lënduar të bëhem superyll


Futboll


Gazeta Express

06/08/2020 15:41

Toni Kroos ka zbuluar se në fillim të karrierës e kishte gënjyer mjekun e skuadrës së Bayern Munich se ishte lënduar, dhe beson se kjo rrenë i kishte ndihmuar ta siguronte një huazim të vlefshëm larg gjigantit te Bundesligës.

Kroos, tani pjesë e Real Madridit dhe njëri prej mesfushorëve
më të respektuar në futbollin modern, i lëndoi ligamentet në moshën 18-vjeçare
duke luajtur me miqtë e vet, ka zbuluar vetë ai për Einfach Mal Luppen,
transmeton Gazeta Express.

30-vjeçari zbulon tani se, gjatë një vizite në Rostock – ku e
kishte qenë lojtar i akademisë – për t’i vizituar miqtë, ishte rrëzuar duke luajtur
futboll me ta dhe e kishte çarë ligamentin, i cili ia pamundësoi futbollin për
tre muaj.

Kur ishte pyetur nga mjeku i Bayernit, Hans-Wilhelm Muller-Wohlfahrt,
se si e kishte lënduar ligamentin, Kroos kishte gënjyer se ishte rrëzuar duke vrapuar
gjatë stërvitjeve në pyll.

Kroos zbuloi: “Deri më sot nuk kemi dëgjuar asgjë. Kur u
zbuluar se e kisha çarë ligamentin, nuk ndjeva se duhet të shpjegoja se më
ndodhi duke luajtur futboll. Por tani pasi ka kaluar kaq shumë kohë, nuk mund të
më ndëshkojnë për këtë”.

Përfaqësuesi gjerman thotë se ai lëndim i ka ndihmuar të bëhet
yll dhe të ketë karrierë kaq madhështore.

Gjatë pushimit dimëror në sezonin 2008/09, Kroos u huazua më
Bayer Leverkusen për të fituar më shumë përvojë në ekipin e parë.

Kroos zuri vend në formacionin startues të Leverkusenit në
sezonin 2009/10 dhe u thirr nga Kombëtarja e Gjermanisë për Kupën e Botës 2010,
para se të kthehej në Bayern kur zuri vend në ekipin e parë.

Sipas Kroosit, ai lëndim i ndihmoi të largohet nga Bayerni,
sepse nëse nuk do të lëndohej, ai do të ishte mbajtur në skuadër si rezervist
dhe nuk do t’i kishte pasur mundësitë e njëjta.

“Bayerni nuk do të më kishte lejuar të largohesha, nëse do të
isha shëndosh e mirë. Fillimisht nuk luaja shumë dhe kur ndodhi lëndimi ata më lejuan
të shkoj në Leverkusen”, shtoi ai. /Gazeta Express/