Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, sot ka zhvilluar një takim të përbashkët me Bordin e Përkohshëm të Korporatës Energjetike të Kosovës Sh. A, të udhëhequr nga kryesuesja e Bordit, Rrezarta Pllana, me anëtarët e Bordit, Arbnor Pula, Merita Kasapolli dhe Bezad Halilaj, dhe me u.d. kryeshefin ekzekutiv të KEK Sh.a.,Luigj Ymerin.

Siç bëhet me dije në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, kryesuesja dhe anëtarët e Bordit e njoftuan kryeministrin për objektivat strategjike të Bordit dhe planin e veprimit, me qëllim të arritjes së qëndrueshmërisë financiare të KEK-ut, përfshirë këtu ndalimin e keqpërdorimeve dhe rritjen e transparencës.

Gjithashtu u diskutua për përpilimin e një strategjie zhvillimore të KEK-ut në konsistencë me planin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik.

Në këtë njoftim theksohet se për Qeverinë e Republikës së Kosovës mbetet prioritet zhvillimi i ndërmarrjeve publike dhe ngritja e kapaciteteve të tyre përmes profesionalizmit dhe alokimit të duhur të resurseve që ato kanë.

(M.Q / Epoka e re)