Interi mund t’ia kërkojë Barcelonës sulmuesin francez Antoine Griezmann në çfarëdo marrëveshje të mundshme për kalimin e argjentinasit Lautaro Martinezit nga San Siro në Camp Nou, sipas gazetës italiane Tuttosport.

Lautaro Martinez është duke shkëlqyer për
zikaltrit këtë sezon në Serie A, përderisa ka kontribuar edhe në garat e tjera.
Ai i ka shënuar gjithsej 16 gola në të gjitha garat e këtij sezoni, transmeton Gazeta
Express.

Mediat e mëdha evropiane të sportit kanë raportuar
se 22-vjeçari dëshiron t’i bashkohet klubit katalonas, pasi që dëshiron të luajë
përkrah bashkëkombësit të tij Lionel Messi edhe në nivelin e klubeve.

Martinez ka klauzolë për shkëputjen e kontratës
me klubin prej 111 milionë eurosh. Kjo klauzolë është e vlefshme për të gjitha
klubet jashtë Italisë, megjithatë Barcelona s’është e gatshme ta paguajë një
shumë të atillë, për shkak se do të binte ndesh me rregullat financiare të
UEFA-s.

Gazeta italiane Tuttosport raporton se klubi i
La Ligas do t’ia ofrojë Interin disa lojtarë të vet për ta zbritur çmimin për
Martinezin. Lojtarët si Arturo Vidal, Carles Alena, Philippe Coutinho dhe
Jean-Claid Todibo mund të përfshihen në marrëveshje.

Megjithatë, Interi do të ishte i gatshëm ta
pranojë ofertën nëse në të do të përfshihej Griezmann. 28-vjeçari u transferua
në Barcelonë vetëm vitin e kaluar, dhe i ka shënuar 12 gola në 32 paraqitjet e
tij këtë sezon.

Në anën tjetër, Gazzetta dello Sport raporton
se Interi do ta ketë prioritet transferimin e Pierre-Emerick Aubameyangut, nëse
Martinez largohet këtë verë. /Gazeta Express/