Lazio i ofron 15 milionë euro për Muriqin, vjen përgjigja e Fenerbahces


Futboll


Gazeta Express

06/08/2020 12:44

Fenerbahce nuk e ka pranuar ofertën e Lazios në vlerë 15 milionë euro për sulmuesin e vet kosovar, Vedat Muriqin, por bisedimet mes dy klubeve për shërbimet e tij janë duke vazhduar, sipas mediave turke.  

Lazios i është hedhur poshtë oferta e parë prej 15 milionë
euro për sulmuesin e Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqin, raporton Gazeta
Express.

Por pavarësisht refuzimit të ofertës, sipas mediave turke,
Lazio dhe Fenerbahce janë duke i vazhduar bisedimet për 26-vjeçarin, të cilin
gjiganti turk e vlerëson të paktën 20 milionë euro.

Ndërkohë, në garë për të thuhet të jetë futur edhe klubi
tjetër i Serie A, Fiorentina.

Për sulmuesin prizrenas është përfolur shumë në dy afatet e
fundit kalimtare, si njëri prej sulmuesve më të kërkuar nga klube të ndryshme
evropiane, por ai ditë më parë këmbënguli se dëshrion të bëhet legjendë e
Fenerbahces dhe se shpreson se karrierën do ta përfundojë te klubi turk.

I pyetur nga televizioni turk NTV për të ardhmen, Muriqi kishte thënë se dëshiron të futet në histori të Fenerbahces duke fituar tituj vendorë dhe evropianë.

“Unë i shërbej komunitetit që kam ëndërruar. Dua ta fitoj
tituj kampioni këtu dhe të korr sukses të madh në Evropë”, tha Muriqi për NTV.

“Unë gjithmonë them se karrierën dua ta përfundoj këtu”,
shtoi 26-vjeçari.

Muriqi i ka shënuar 17 gola dhe i ka dhënë 7 asiste në 36
ndeshje për Fenerin këtë sezon.

Mediat turke shpesh kanë raportuar se Fenerbahce mund ta
shesë Muriqin, i cili mund të kushtojë më shumë se 20 milionë euro, për t’i
balancuar llogaritë në kohë krize të shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Muriqi ka kontratë me gjigantin e Superligës turke deri në
qershor të vitit 2023. /Gazeta Express/