LeBron James vazhdon zënkën me Donald Trump: S’na intereson a na shikon, nëntori po vjen


Sport


Gazeta Express

06/08/2020 10:44

Ylli i Los Angeles Lakers dhe NBA, LeBron James, i është kundërpërgjigjur presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pasi ky i fundit i kritikoi basketbollistët që po gjunjëzohen gjatë intonimit të himnit kombëtar dhe tha se nuk do të shikojë më ndeshje të NBA.

Drejtësia sociale ka qenë njëra ndër elementet më të
rëndësishme të rinisjes së NBA, pasi basketbollistët janë shprehur të
përkushtuar ta përdorin platformën e tyre për të sjellë ndryshim pozitiv. NBA
ua ka mundësuar lojtarëve të shkruajnë mesazhe kundër racizmit në fanellat e
tyre në vend të emrave, transmeton Gazeta Express.

Gjatë ndeshjeve të zhvilluara deri më tani çdo skuadër është
ulur në gjunjë gjatë intonimit të himnit dhe kanë veshur fanella me shkrimin Black
Lives Matter
(në shqip: Jeta e
njerëzve me ngjyrë ka rëndësi), si shenjë proteste kundër racizmit dhe
brutalitetit policor.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i quajti të turpshme këto
protesta të lojtarëve të NBA dhe tha se nuk do t’i shikojë në ndeshjet e NBA, përderisa
shtoi se asnjë president në histori të vendit nuk ka bërë më shumë për njerëzit
me ngjyrë në vend, “ndoshta me përjashtim të Abaraham Lincoln”.

Kur LeBron James u pyet për këtë deklaratë të Trump, ai tha:
“A po tentoni të më bëni të qesh? Me të vërtetë nuk mendoj se komuniteti i
basketbollit mërzitet pse ai nuk i shikon 
ndeshjet. Vetëm këtë dua ta them”.

Megjithatë, James vendosi të vazhdojë tutje, duke sugjeruar që ata që duan të bëjnë ndryshim të vërtetë, duhet ta bëjnë këtë duke votuar në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor.

“Mendoj se jemi në një gjendje shumë të mirë me ndeshjet
tona dhe kemi tifozë kudo në botë. Tifozët tanë nuk e duan vetëm mënyrën se si
ne e luajmë këtë sport, por kanë respekt edhe për gjërat e tjera që tentojmë t’i
sjellim në pah dhe ta theksojmë se çka është mirë e çka është keq”, shtoi James.

“Shpresoj se të gjithë – pavarësisht racës, ngjyrës së lëkurës,
madhësisë – do ta shohin çfarë lidershipit kemi dhe ta kuptojnë se nëntori po
afrohet dhe ai është një moment i madh për ne amerikanët”.

“Nëse ne vazhdojmë të themi se duam ndryshim dhe duam përmirësim,
atëherë e kemi mundësinë ta bëjmë këtë. Por, ndeshjet tona do të vazhdojnë edhe
pa sytë e tij mbi ne. Unë mund të flas në emër të të gjithë atyre që e duan
basketbollit: S’na bën fare a na shikon ai”. /Gazeta Express/