Liverpooli në ankth pas lëndimit të Van Dijk


Futboll


Gazeta Express

18/10/2020 12:40

Liverpooli nuk shkoi dot përtej barazimit 2-2 në derbin ndaj Evertonit në Goodison Park, në një përballje ku nuk munguan as polemikat për një gol të anuluar në pozicion jashtë loje milimetrik për të kuqtë.

Megjithatë më shumë sesa humbja e dy pikëve, Jurgen Klopp
është tej mase i shqetësuar për fatin e mbrojtësit kryesor të Liverpoolit,
Virgil Van Dijk, i cili ra viktimë e një ndërhyrjeje brutale nga ana e
portierit Jordan Pickford.

Gjithçka ndodhi në minutën e 11’ të takimit, kur gardiani i
Everton dhe përfaqësueses angleze ndërhyri me të dy këmbët mbi mbrojtësin
holandez dhe e la atë të dëmtuar, ndonëse arbitri ndali lojën për një pozicion
jashtë loje të Van Dijk.

Mbrojtësi më i shtrenjtë i Liverpoolit la menjëherë fushën e
lojës, i zëvendësuar nga Gomez, ndërsa në kampin e “the reds” i tremben shumë
një dëmtimi të ligamenteve të kryqëzuara, që do ta mbanin jashtë fushe të
paktën 6-7 muaj.

Trajneri Jurgen Klopp u shfaq mjaft pesimist në përfundim të
ndeshjes, ndërsa shkalla e vërtetë e dëmtimit të Van Dijk pritet të konfirmohet
vetëm gjatë ditës së sotme, kur të ketë kryer të gjitha ekzaminimet e
nevojshme.

Nëse konfirmohen dyshimet aktuale, atëherë mbrojtësi pritet
të humbë pjesën më të madhe të sezonit dhe të rikthehet vetëm në fillim të
muajit maj, për të luajtur në Kampionatin Europian të futbollit.

Kjo do të ishte fatale për kampionët në fuqi të Premier
League, të cilët kanë treguar se pa Van Dijk në fushë janë një skuadër e
brishtë, që pëson shumë gola dhe e ka të pamundur të qëndrojë në nivele të
larta.