Manchester United ka gjetur akordin me Bruno Fernandes.

Sipas asaj që shkruan media prestigjioze sportive ESPN, klubi anglez ka limuar çdo detaj dhe ka marrë “ok”-in e portugezit.

Nuk zbulohen detajet e marrëveshjes dhe shuma apo kohëzgjatja në kontratën që i është propozuar 25-vjeçarit, megjithatë raportohet mbyllja e bisedimeve mes klubit dhe futbollistit të përfaqësueses së Portugalisë.

Tashmë problemi kryesor lidhet me akordin mes dy klubeve. Sportingu i Lisbonës nuk është i gatshëm të heqë dorë nga kapiteni për më pak se 80 milionë euro, ndërkohë që United ka vendosur deri më tani në tryezë 60 milionë, teksa bardhëjeshilët nuk kanë pranuar përfshirjen e portierit Pereira në bsiedimet për kartonin e Fernandes.

Mesfushori me tipare sulmuese është rritur në skuadrat zinxhir të Boavistës dhe një pjesë të karrierës e ka ndërtuar në Itali, ku ka luajtur për Novarën, Udinesen dhe Sampdorian. Në vitin 2017 kaloi nga klubi gjenovez tek Sportingu për 9.7 milionë euro. Te skuadra nga Lisbona gjeti habitatin e tij natyral, duke realizuar 63 gola dhe dhuruar 51 pasime vendimtare në 134 ndeshje të zhvilluara për “luanët” nga kryeqyteti i Portugalisë.

Fakti që Marcos Rojo është në detajet e fundit të transferimit të tij nga United tek Sportingu të bën të mendosh që marrëdhëniet mes klubeve janë të mira dhe se në një kohë jo shumë të gjatë mund të gjendet edhe pika e përbashkët për transferimin e Bruno Fernandesit në “Old Trafford”.