Lexoni detajet

20 sindikata e grupe ankuesish kanë dërguar ankesa tek institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me Ligjin e Ri për Pagat në Sektorin Publik. Pavarësisht kësaj, pagat me rritje pritet të dalin gjatë muajit dhjetor, teksa Avokati i Popullit ka të drejtë ta dërgojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese deri në gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të tij, shkruan gazeta “Zëri”.


Më një dhjetor të këtij viti pritet të hyjë në fuqi Ligji i Ri për Pagat në Sektorin Publik. Me hyrjen në fuqi të ligjit pritet të jepen edhe pagat me rritje po gjatë muajit dhjetor. Por kundër këtij ligji deri më tani kanë dalë 20 sindikata e grupe ankuesish, të cilat kanë shprehur pakënaqësi lidhur me nivelizimin e pagave që është bërë përmes këtij ligji. Në ndërkohë një grup i sindikatave javën e kaluar ka paralajmëruar protesta e greva në rast se pagat nuk dalin me rritje gjatë muajit dhjetor, siç parashihet me ligjin e ri.


LEXO EDHE: Dhjetori me paga të rritura, 20 sindikata dalin kundër


Ministria e Financave në një përgjigje dhënë për gazetën “Zëri” ka konfirmuar që çdo gjë është gati që të fillojë zbatimi i marrjes së pagave me rritje gjatë muajit dhjetor. Muharrem Shahini, zëdhënës i kësaj Ministrie, ka pohuar se masa e pagave është e buxhetuar dhe e mjaftueshme për mbulimin e kësaj kostoje financiare.


“Zbatimi fillon në muajin dhjetor dhe të gjithë të punësuarit në sektorin publik pagat do t’i marrin në dhjetor të këtij viti sipas ligjit të ri. Mjetet financiare në buxhet janë, masa e pagave është e buxhetuar, si dhe është më se e mjaftueshme për mbulimin e kësaj kostoje financiare”, ka konfirmuar ai për “Zërin”./ZERI