Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me UNICEF-in, duke marrë parasysh situatën me COVID-19 dhe pasojat ekonomike e shoqërore që do të ketë për shoqërinë, kanë zhvilluar një takim, pikë kyçe e të cilit ishte bashkëpunimi i mëtejmë mes këtyre dy institucioneve në lidhje me një program gjithëpërfshirës (Kosovo Generation Unlimited) për fuqizimin e rreth 10.000 të rinjve në Kosovë.


Ministrja Vlora Dumoshi u shpreh shumë pozitive dhe e lumtur që do të jetë pjesë integrale e një programi të tillë, i cili, siç tha ajo, e prek pikën më vitale të shoqërisë kosovare – rininë.


“MKRS-ja dhe UNICEF-i bashkërisht në javët dhe në muajt në vazhdim do të punojnë ngushtë që objektivat dhe informatat rreth këtij programi fuqizues ekonomik t’i bëjnë të qasshme për sa më shumë të rinj”, citohet të ketë thënë Dumoshi në takimin e zhvilluar me shefin e UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin.


Dumoshi dhe Sahin u pajtuan që ky të jetë takimi i parë, i cili do t’u paraprijë takimeve dhe punëtorive të tjera për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në dizajnimin dhe jetësimin e kësaj nisme premtuese.


Ministrja, ndërkaq, në takim ka theksuar se angazhimi i të rinjve dhe infrastruktura ligjore që garanton siguri, punë e aktivizëm të të rinjve në Kosovë duhet të jetë kruciale për institucionet e Kosovës. Ndër të tjera, e përgëzoi UNICEF-in edhe për iniciativën gjithëpërfshirëse “#vizapërfëmijë”, e cila përmes përkrahjes dhe thirrjeve për promovimin e politikave gjithëpërfshirëse ka kontribuar për ambient të barabartë për çdo fëmijë.


Sahin, ndërkaq, e njoftoi Dumoshin për programet e UNICEF-it, të cilat fokusohen në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, në fuqizimin e rinisë dhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Zyra e UNICEF-it në Kosovë që nga viti 2014 zbaton programe dhe platforma për të rinj, si UPSHIFT-i, PODIUM-i, PONDER-i, “KoVo”-ja dhe “U-Report”-i, të cilat fuqizojnë të rinjtë dhe i ndërtojnë shkathtësitë për punë dhe për jetë.