Gjatë dekadës së kaluar, shpesh, Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka qenë i vetmi institucion që ka shpëtuar Eurozonën nga harresa financiare. Problemi i Evropës ishte frenimi i buxhetit dhe ndarja e pabarabartë e rrezikut. Hartuesit e politikës monetare ishin mjeti i vetëm i shpëtimit.

Por, jo më. Në fillim të këtij viti, Bashkimi Evropian ra dakord që të emetojë një borxh të përbashkët për të financuar përgjigjen fiskale ndaj pandemisë, duke forcuar besimin në monedhën e përbashkët. Tani, problemi më i ngutshëm në politikën ekonomike të Eurozonës buron nga Frankfurti. Pothuajse askush nuk e beson se BQE-ja është serioze në arritjen e objektivit të saj të inflacionit “nën, por afër shifrës 2 për qind”.

COVID-19 vazhdon të rëndojë pjesën më të madhe të botës me një ekonomi 90 për qind, ku aktiviteti është i kufizuar. Dezinflacioni është një pasojë e natyrshme. Në gusht, çmimet e Eurozonës ranë për herë të parë në katër vjet. Por është detyra e politikanëve që të sigurohen që goditjet të mos bëhen rrënime të zgjatura dezinflacioniste.

Parashikimet e vetë BQE-së, të publikuara pas takimit të 10 shtatorit mbi politikën monetare, tregojnë se ajo po dështon. Inflacioni do të rritet në tre vitet e ardhshme – por vetëm në 1.3 për qind. Tregjet financiare presin që ai të qëndrojë pak a shumë në këtë nivel për pjesën më të madhe të dekadës së ardhshme. Parashikuesit profesionistë janë vetëm paksa më optimistë. Forca e fundit që i mban çmimet e ulëta është një euro e fortë. Këtë vit, monedha është rritur me 5.4 për qind kundrejt dollarit.

Një bankë qendrore, që e merr seriozisht synimin e saj, do të luftonte me mish e me shpirt për të përmirësuar këtë perspektivë. Pritshmëritë e inflacionit të ulët janë një skenar i rrezikshëm. Ato i mbajnë normat reale të interesit – pra normat pa inflacionin e parashikuar – më të larta se zakonisht. Ky është një problem kur, normat nominale nuk mund të bien më tej, siç është rasti i tanishëm.

Dhe sistemi bankar qendror është një lojë besimi: sa më shumë që një objektiv humbet besueshmërinë, aq më e vështirë është të shënohet në shenjë. Rezerva Federale e Amerikës është aq e shqetësuar për pritshmëritë e inflacionit, saqë ka premtuar të lejojë inflacionin të tejkalojë përkohësisht objektivin e tij, për të kompensuar mungesat, duke siguruar që inflacioni të jetë mesatarisht 2 për qind për një kohë të gjatë.

Nga ana tjetër, BQE-ja duket se nuk e vret shumë mendjen. Në vend që të injektonte një stimul të ri së fundmi, ajo u zmbraps. Problemi nuk është mungesa e mjeteve. Ajo këmbëngul se mund t’i ulë normat e interesit nën nivelin e sotëm prej 0.5 për qind, të ofrojë fonde për bankat me terma më të lirë ose të zgjerojë blerjet e borxhit qeveritar. Por nuk ka bërë asnjë nga këto gjëra.

Pas takimit të fundit, presidentja e bankës, Christine Lagarde, tha se blerjet e rritura të aseteve as nuk ishin diskutuar. Kjo e rriti euron edhe më tej, duke treguar se mospërfillja e bankës po ndikon në forcimin e monedhës dhe po vetëpërmbush pritshmëritë e inflacionit të ulët. Ndoshta zonja Lagarde dha një përshtypje tepër të egër, dhe jo për herë të parë. Ditën e nesërme, në një postim në rrjetet sociale, mesa duket për të korrigjuar tonin, kryeekonomisti i bankës Philip Lane, u tregua më i butë. BQE-ja ndoshta do të veprojë në dhjetor. Por ajo vazhdon të mbetet një institucion që duket se i sheh mungesat e inflacionit thjesht si një bezdi e vogël, jo një provë e aftësive të bankës.

Sipas disave, problemi mbetet fiskal. Stimuli buxhetor i Evropës është më i vogël se ai i Amerikës dhe këtë vit, BQE-ja ka luajtur tashmë një rol të madh në tregje. Por ideja se nevojiten kufizime më të buta “për të lehtësuar barrën” e politikës monetare, është e rrezikshme. Nëse efekti praktik i lehtësimit të buxhetit është që të lejojë bankën qendrore të marrë frymë, shanset janë që kursi i këmbimit do të rritet, duke kompensuar një pjesë ose të gjithë stimulin. Rubinetet monetare duhet të qëndrojnë plotësisht të hapura që stimuli fiskal ekstra të ketë efektin e dëshiruar. Kjo është ajo që po ndodh në Amerikë.

Nuk ka asgjë të gabuar me një euro të fortë. Shumë modele, përfshirë indeksin Big Mac, sugjerojnë se ai është i justifikuar. Por aktualisht, kjo rritje pasqyron pjesërisht dyshimin se BQE-ja është e gatshme të pranojë një normë më të ulët inflacioni sesa objektivi zyrtar. Kjo rrezikon të dëmtojë besueshmërinë e bankës qendrore dhe rimëkëmbjen e Eurozonës. /Monitor/