Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka pritur sot në takim Klubin e Prodhuesve të Kosovës dhe diskutuan për zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë në vend, sfidat e sektorit si rezultat i pandemisë COVID-19 dhe projektet përkrahëse ndaj këtij sektorit në Kosovë.

Mustafa gjatë këtij takimi i ka njoftuar nga afër disa nga anëtarët e Klubit të Prodhuesve me objektivat dhe prioritetet e MBPZhR-së gjatë kësaj periudhe por edhe për hartimin e programeve mbështetëse konkrete të cilat do të ju vijnë në ndihmë prodhuesve nga sektori i bujqësisë, e të cilat kanë për qëllim rimëkëmbjen e këtij sektori.

Ai u zotua që do të vazhdoi të jetë pranë fermerëve dhe agro-përpunuesve duke i mbështetur që të mos kenë ngecje në sektorin prodhues dhe përpunues.

Në anën tjetër, anëtarët e Klubit e falënderuan ministrin në detyrë për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë për bujqësinë në këtë kohë të pandemisë, dhe shprehen gatishmërinë e tyre që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në mes të dy palëve. /Telegrafi/