Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim kryetarin e Federatës së Xhudos të
Kosovës, Agron Kuka, përzgjedhësin e Kosovës në xhudo Driton Kuka si dhe
xhudistët që kanë fituar normën olimpike për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Ministrja Dumoshi fillimisht ka uruar Distria Krasniqi për medaljen e artë dhe Nora Gjakova për medaljen e bronztë në Grand Slam-in e xhudos që u mbajtën më 8 e 9 shkurt në Paris të Francës. Po ashtu ajo u shpreh e lumtur për punën dhe suksesin që po e tregojnë xhudistët në gara të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

“Vajzat dhe djemtë tanë po na bëjnë krenarë me punën luftarake të tyre, në lojërat të ndryshme ndërkombëtare dhe ky suksese nuk do të ishte po të mos kishin mbështetjen dhe përkushtimin tuaj si tuaj si trajner”, tha ministrja Dumoshi, duke theksuar faktin se me sukseset e arritura, xhudistët e Kosovës po i bëjnë nder vendit dhe po e promovojnë e forcojnë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Unë si ministre mbetem e përkushtuar që të
jem gjithmonë mbështetëse e fuqishme e sportit. Duke pasur parasysh që këtë vit
i kemi edhe lojërat olimpike, është e rëndësisë së veçantë që vendi ynë do të
përfaqësohet sa më suksesshëm me garuesit e saj në Tokyo të Japonisë duke e
dëshmuar edhe njëherë që kemi talente në sport”, u shpreh tutje ministrja duke
u zotuar se MKRS-ja do të mbështesë sportistët për faktin se po i sjellin
vendit medalje e suksese.

Ndërkaq kryetari Agron Kuka falënderoi
ministren për pritjen dhe e uroi për marrjen e detyrës. Ai kërkoi nga ministrja
Dumoshi që edhe në të ardhmen të vazhdojë bashkëpunimi i MKRS-së me Federatën e
Xhudos ashtu që bashkërisht të arrihen sukseset e synuara.

Ministrja e drejtuesit e xhudos diskutuan edhe
për çështjen e Qendrës Kombëtare të Xhudos e cila së shpejti do të fillojë së
ndërtuar në qytetin e Pejës dhe ku ministria do të japë kontributin e saj në
këtë drejtim.

Ministrja Dumoshi, gjithashtu, tha se shumë shpejt do t’i bëhet edhe
zgjidhja e përcaktimit të lokacionit për vendosjen e shtatores së Majlinda
Kelmendit, të cilën Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka sjellë në Kosovë për
nder të xhudistes tonë me renome ndërkombëtare.

The post “Na pret Tokio, më të fortë se kurrë” appeared first on Gazeta Express.