Pushuesit lënë mënjanë pandeminë dhe kujdesin ndaj vetes! Pa rregulla dhe pa distancime shijojnë verën, ndërkaq rastet e reja vetëm shtohen. Lidhur me këtë, flet për “Shekulli”-n eksperti i turizmit, Zak Topuzi

Briselda Hoxha

Protokolli i masave anti-COVID-19 është një dokument që u rekomandua të zbatohet nga sipërmarrjet turistike, turistët, pushuesit dhe vizitorët, për mbarëvajtjen e atyre aktiviteteve. Ky protokoll përmban parakushtet, kushtet dhe rregullat për të orientuar dhe për të rekomanduar industrinë turistike për masat e nevojshme që duhet të ndërmerren përgjatë periudhës së pranisë së infeksionit COVID-19. Të qarta janë rregullat edhe për baret e restorantet.

Mirëpo, mesa duket, pushuesit po i sfidojnë hapur këto masa të vendosura lidhur me mbrojtjen nga COVID-19 ku sipas vëzhgimeve të bëra, nuk po respektohen rregullat e vendosura nga ministria. Ndonëse kjo sjellë rrezik për jetën, qytetarë të shumtë shprehen se e kanë shumë të vështirë për t’i zbatuar pasi u duken shumë të ekzagjeruara. Edhe pse përpjekja nëpër lokale dhe hotele nga personeli, mundohet t’i ndërgjegjësojë qytetarët, këta të fundit kanë reaguar negativisht ndaj shërbimit me masa mbrojtëse duke ua vështirësuar punën atyre.

Situata

Distanca është lënë mënjanë dhe nga vetë pushuesit të cilët qëndrojnë të grumbulluar në çadra dhe në det, ndërsa rastet e infektuara me COVID-19 vazhdojnë të shtohen ndjeshëm në vend. Lidhur me këtë gjendje aktuale, “Shekulli” ka zhvilluar një bisedë me ekspertin e turizmit, Zak Topuzi i cili për situatën momentale shtron dy probleme të rëndësishme. “Situata pandemike COVID-19, shtroj dy probleme të rëndësishme për zgjidhje: Faza e Parë, emergjencën Shëndetësore, ku me kryesore, luftën për të shpëtuar jetë njerëzish dhe pengimin e përhapjes së pandemisë dhe faza e dytë, operacionet e shpëtimit të ekonomisë pa të cilën katastrofa do të ishte e parikuperushme. Pas një mbyllje gati tre mujore dhe kufizimin e përhapjes COVID-19, filloi operacioni i kombinuar i dy fazave, hapje graduale dhe distancim fizik përmes masave mbrojtëse dhe shpëtimit të ekonomisë përmes hapjes graduale të bizneseve.”– tha Topuzi.  Më tej ai tha se Industria Turistike u përfshi në një konsultim intensiv me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Turizmit, për hartimin e një “Protokolli” masash anti-COVID specifik për industrinë, kryesisht për hotelet dhe menaxhimit të plazheve. “Në konsultim u përfshinë edhe ekspertë të huaj, angazhuar nga GIZ. Shoqata Shqiptare e Turizmit-ATA po ndjek me interes dinamikën e zhvillimeve të situatës së jashtëzakonshme shkaktuar nga COVID-19.”– shtoi ai

Zbatimi i protokollit nga personeli në hotele e restorante

Sakaq, lidhur me zbatimin e protokollit nga personeli nëpër plazhe, restorante e hotele, Topuzi tha se po ndiqet me vëmendje e ndërkohë, lidhur me këtë është hartuar edhe një paketë trajnimesh për këtë dhe do të vijojnë trajnimet nëpër hotele. “Hotelet kryesore po ndjekin me vëmendje zbatimin e Protokollit. Kontrollet nga institucionet kanë qenë të vazhdueshme. Sakaq, në bashkëpunim me GIZ u hartua “Practical recommendations for the implementation of the Covid-19 protocol in hotels” , një paketë trajnimesh për këtë qëllim. Këtë javë mbarojnë trajnimet për 3 hotelet kryesore të vendit dhe planifikojmë të vazhdojë me hotelet e tjera.”- u shpreh eksperti.

Papërgjegjshmëria e qytetarëve

Përsa i përket pushuesve, sipas vëzhgimeve tona dhe informacioneve të përditshme, rezulton se pushuesit po i sfidojnë hapur edhe rregullat edhe COVID-in. Kjo nuk është normale në gjendjen e vendit tani, pasi rastet e reja të infektimeve janë në rritje gjithashtu edhe numri i viktimave që janë shkaktuar nga koronavirusi, është në rritje. Për këtë, eksperti Topuzi tha se edhe turistët që qarkullojnë në Shqipëri nga vendet e tjera, pra nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut, gjithashtu kanë të njëjtën sjellje shpërfillëse. Ai shton se përshëndet vendimin që detyron mbajtjen e maskave pasi ka ardhur në momentin e duhur kjo masë. “Ballkani ka pasur rritje të rasteve të të infektuarve. Kjo ka sjellë bllokimin e lëvizjeve drejt vendeve të BE. Turistët që po qarkullojnë në Shqipëri janë kryesisht vendas dhe Kosova e Maqedonia Veriut. Ky kontingjent turistësh ka sjellje të njëjtë shpërfillëse ndaj masave shtrënguese të protokolleve. Kemi të bëjmë me një mënyrë të re sjelljeje që për popujt e Ballkanit është vështirë të adoptohet. Kjo e bën më të vështirë punën për punonjësit e shërbimit në hotele. Urdhëresa e fundit e qeverisë për mbajtjen e detyrueshme të maskës në ambientet e brendshme, vjen në kohën e duhur për t’u mbrojtur nga COVID-19 por, edhe lehtëson menaxherët e hoteleve në sjelljen ndaj klientëve. Ka patur mjaft raste kur klientë të ndryshëm kanë reaguar negativisht ndaj personelit që lëviz me masa mbrojtëse. Do të jetë një vit i vështirë dhe sfidues për të gjithë palët.”– tha Zak Topuzi.

Ushqimi dhe pijet

  • Kryeni larjen e duarve shpesh dhe sipas kërkesës
  • Vishni maskë dhe doreza kur përgatisni ose përdorni ushqimin
  • Shmangni pirjen e duhanit, ruani etiketën respiratore në ambientet ku përgatitet ose shërbehet ushqim
  • Ndalohet përgatitja ose prekja e ushqimeve, prekja e sipërfaqeve në kontakt me ushqimin pa pasur doreza
  • Ndalohet shijimi i ushqimit me gishta
  • Ndalohet prekja e flokëve ose e pjesëve të tjera të trupit pa doreza, kur ndodheni brenda zonave të përgatitjes apo të servirjes së ushqimit, pasi mund të rezultojnë në ndotje të ushqimit.

Shërbimi në bare dhe në restorante

  • Tavolinat duhet të vendosen në atë mënyrë që distanca nga pjesa e pasme e një karrigeje në pjesën e pasme të një karrigeje tjetër të jetë më shumë se 1 m larg dhe që klientët të përballen me njëri-tjetrin nga një distancë prej të paktën 1 m.
  • Personeli qe shërben ushqimin duhet të jetë i pajisur përgjatë gjithë periudhës së shërbimit me maska dhe dorashka të higjienizuara.

Shërbimi në plazhe

  • lani dhe dezinfektoni duart, vazhdimisht dhe në mënyrën e duhur
  • përdorni maskat sipas udhëzimeve
  • shmangni grumbullimet në njerëz dhe çdo lloj kontakti
  • mos prekni fytyrën dhe hundët me duar të palara e të padezinfektuara
  • kur kolliteni ose teshtini, mbulojeni gojën/hundën me parakrah ose me facoleta njëpërdorimëshe