Mundësitë për përkrahje lidhur me problemet e bizneseve, finalizimi i pakos e rimëkëmbjes, ofrimi i përkrahjes në ndryshim plotësimin e ligjeve të cilat janë aktualisht në proces, krijimi i ofertave për investitorët, krijimi i arkës patriot, ofertat strategjike në bujqësi, mbrojtja dhe orientimi i bizneseve, ligji për investime strategjike, inicimi i sigurimeve shëndetësore dhe sigurimit në punë ishin disa nga çështjet që u ngritën në takimin e përfaqësuesve të Oda e Afarizmit të Kosovës me liderin e Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në kuadër të takimeve që OAK-u është duke realizuar me kryetarët e partive politike, në takimin me Kurti u theksua rëndësia e bashkëpunimit reciprok për përkrahje në tejkalim të gjendjes së rëndë me të cilën janë duke u ballafaquar bizneset si rezultat i pandemisë.

Gjatë këtij takimi përfaqësuesit e OAK-ut kanë theksuar emergjencën e finalizimit sa më parë të pakos së rimëkëmbjes në mënyrë që bizneset të kenë mundësi që të mbijetojnë, mbajnë në punë punëtorët dhe sigurimin e kapitalit për ruajtje të likuiditetit.

“Theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së finalizimit sa më parë të Ligjit të Punës dhe Pushimit të Lehonisë duke u cilësuar dy nga ligjet esenciale të zhvillimit të vendit, si rezultat i të cilëve kemi një numër shumë të ulët të të punësuarve, largimin e fuqisë punëtore në vendet e BE-së për një jetë dhe mirëqenie më të mirë. Gjithashtu Ligji për Tregti të Brendshme është më se i nevojshëm duke rregulluar tregun në bazë të nevojave dhe analizave dhe njëkohësisht duke mbrojtur dhe orientuar bizneset u tha nga përfaqësuesit e OAK-së”, theksohet në njoftimin e kësaj ode.

Hamdi Malushaj anëtar i bordit në OAK-ut ka theksuar rëndësinë e aftësimit profesional, respektimin e kontratave të punës, afatet e paralajmërimeve dhe rëndësinë e ndarjes së qartë të të drejtave dhe detyrimeve mes punëtorëve dhe punëdhënësve.

Malushaj gjithashtu veçoi qasjen e shtetit ndaj biznesit dhe trajtimin që bizneset janë duke marrë aktualisht nga shteti duke lënë shumë hapësirë për të dëshiruar.

Anëtari i bordit të OAK-ut, Hysni Zogaj ka vlerësuar rëndësinë e ofrimit të përkrahjes për sektorin e bujqësisë dhe minierave e mineraleve duke qenë dy ndër sektorët më me potencial të zhvillimit të vendit.

Ndërsa sekretari i bordit, Diamant Elshani, ka veçuar rëndësinë e unitetit më të madh dhe bashkëpunimin me komunitetin e biznesit qysh në fazat e hershme të inicimit të nismave ligjore, në mënyrë që së bashku me institucionet dhe bizneset të diskutohen në grupe punuese çështjet me interes reciprok.

Kryetari i LV-së, Albin Kurti, ka falënderuar përfaqësuesit e OAK-ut për takimin dhe çështjet që u ngritën, duke u shprehur i hapur për bashkëpunim në ndryshimin e praktikave dhe qasjes ndaj bizneseve.

(A.M / Epoka e re)

The post OAK-u kërkon përkrahje nga partitë politike në Kuvend për tejkalimin e krizës appeared first on Epoka e Re.