Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vlerëson se krijimi i një mjedisi të favorshëm i cili do të garantonte besueshmërinë e transaksioneve elektronike shërben si parakusht për zhvillimin e ekonomisë digjitale.


Ligji për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike, përveç se do t’i kontribuonte zhvillimit të ekonomisë digjitale, gjithashtu do të zvogëlonte barrën administrative për transaksione elektronike me palë, do të rriste efikasitetin e proceseve të biznesit duke reduktuar në mënyrë të ndjeshme kostot, ndërsa bashkë me rritjen e sigurisë në transaksionet elektronike do t’u ofronte bizneseve një bazë më të madhe të konsumatorëve.


Në këtë aspekt, Komiteti i Ekonomisë Digjitale i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka argumentuar përgjatë viteve të shkuara nevojën e hartimit të kornizës së duhur ligjore. Qeveria e Kosovës ka aprovuar në korrik të vitit 2019 Projektligjin për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike, megjithatë për shkak të zhvillimeve politike, projektligji nuk ka mundur të procedohet në Kuvend dhe të marrë aprovimin e deputetëve.


“Kufizimi i aktiviteteve dhe shmangia e kontakteve fizike pas shpërthimit të pandemisë COVID19, ka nxitur bizneset që të transformojnë operacionet e tyre duke shfrytëzuar përparësitë e teknologjisë digjitale, megjithatë bizneset kosovare janë të kufizuara në këtë aspekt për shkak të mungesës së një legjislacioni që do të lejonte realizimin e transaksioneve elektronike, përfshirë këtu edhe pagesën e tyre, por edhe çfarë është më e rëndësishmja njohjen nga ana e institucioneve tatimore në vend. Për rikujtim, edhe Administrata Tatimore e Kosovës edhe Dogana e Kosovës, si edhe shumë organe të tjera qeverisëse të nivelit qendror dhe komunal gjenerojnë dokumente elektronike dhe funksionojnë sipas sistemit pa letër”, thuhet në këtë deklaratë të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.


Në këtë aspekt, marrë parasysh rëndësinë dhe nevojën e këtij ligji për operimet dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të të gjitha ndërmarrjeve në vend, me theks të veçantë të atyre nga sektori i teknologjisë së informacionit, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i kërkon Qeverisë së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, që të konsiderojnë me prioritet aprovimin e këtij projektligji.