Ozili reagon me mesazh emocionues, pasi u përjashtua nga skuadra e Arsenalit


Futboll


Gazeta Express

21/10/2020 14:47

Mesut Ozili ka reaguar pasi është përjashtuar nga lista e Arsenalit prej 25 futbollistëve për ndeshjet e Premierligës, duke thënë se është shumë e vështirë të gjesh besnikëri në ditët e sotme.

Trajneri i Arsenali Mikel Arteta e la mesfushorin gjerman
jashtë listës zyrtare për ndeshjet e sezonit 2020/21 në ligë të martën, pasi
ashtu-kështu nuk i kishte dhënë hapësirë në skuadrën e tij që prej rikthimit të
futbollit pas karantinës në qershor, transmeton Gazeta Express.

Vendimi i trajnerit spanjoll të martën duket t’ia ketë sosur
durimin Ozilit, i cili ka reaguar përmes një shkrimi në rrjetet sociale, në të
cilin e shprehu zhgënjim të madh.

“Ky është mesazh i vështirë që më duhet ta shkruaj për tifozët
e Arsenalit, për të cilët kam luajtur në vitet e fundit. Jam thellësisht i zhgënjyer
që nuk jam regjistruar për ndeshjet e Premierligës këtë sezon”, shkroi Ozil në Twitter.

“Kur e nënshkrova kontratën në vitin 2018, i premtova besnikëri
klubit që e dua, Arsenal, dhe më trishton fakti se kjo nuk më është shpaguar. Siç
e kam kuptuar, është e vështirë të gjesh besnikëri në ditët e sotme”, shtoi ai.

“Para pushimit të detyrueshëm të koronavirusit, kam qenë vërtet
i lumtur me zhvillimin nën udhëheqjen e trajnerit të ri, Mikel Arteta, dhe them
se paraqitjet e mia ishin në nivel të mirë. Por pastaj, gjërat ndryshuan, përsëri,
dhe nuk më lejuan më të luaj futboll për Arsenalin. Çfarë mund të them? Ndiej
se Londra është ende shtëpia ime, sepse ende kam shumë miq të mirë në këtë ekip
dhe ende ndiej lidhje të fortë me tifozët e këtij klubi”, shtoi ai.

“Pavarësisht të gjitha gjërave, unë do të vazhdoj të luftoj
për mundësitë e mia dhe nuk do të lejoj që sezoni im i tetë në Arsenal të
mbarojë kështu. Ju premtoj se ky vendim i vështirë nuk do të ma ndryshojë mendësinë.
Do të vazhdoj të stërvit sa më mirë dhe do ta përdori zërin tim në çfarëdo mënyrë
që munden kundër padrejtësisë dhe çnjerëzimit”, theksoi ai.

Ozil nuk ka luajtur për Arsenalin që prej muajit mars, edhe pse e kishte fituar vendin në formacionin e Artetës menjëherë pas emërimit të tij në vend të të shkarkuarit Unai Emery në dhjetor. /Gazeta Express/