Situata e krijuar në Kosovë nga pandemia COVID-19, ka ndikuar në humbjen e vendeve të punës, rënie të aktivitetit ekonomik dhe rrjedhimisht rritje të shkallës së varfërisë.


Në Kosovë, të dhënat e disa mekanizmave tregojnë se numri i familjeve të cilat hyjnë në kategorinë e familjeve të varfra është rritur gjatë kësaj kohe.


Sipas të dhënave të Ministrisë në detyrë të Financave dhe Transfereve dërguar Radios Evropa e Lirë konfirmohet se gjatë periudhës mars – maj, gjatë kohës kur Kosova është përballur me pandeminë e koronavirusit, numri i familjeve me asistencë sociale është rritur për rreth 700.


“Sipas të dhënave të muajit maj, shfrytëzues të asistencës sociale në Kosovë janë 24,864 familje, që krahasuar me muajin mars 2020, numri i familjeve është rritur për 666 familje”, thotë zëdhënësi i ministrisë në detyrë të Financave dhe Transfereve, Muharrem Shahini.


Shuma e mjeteve që këto familje marrin nga Qeveria në detyrë e Kosovës, është prej 50 deri në 150 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.


Rreth 70 mijë familje aplikojnë për të marrë asistencë 130 euro nga Pakoja Emergjente


Më 16 prill, Qeveria në detyrë Kosovës ka filluar të aplikojë masën 15 të Pakos Emergjente Fiskale, masë kjo e cila parasheh 130 euro për dy muaj (prill dhe maj) asistencë mujore për familjet që nuk kanë asnjë të punësuar.


Për të përfituar këtë asistencë prej 130 eurosh, Muharrem Shahini nga Ministria e Financave, thotë se numri i familjeve të cilat kanë nevojë për ndihmë dhe nuk kanë të ardhura, është mjaft i lartë.


“Në bazë të të dhënave të mbledhura nga Qendrat për Punë Sociale në Kosovë, numri i familjeve që kanë aplikuar për të përfituar nga Pakoja Emergjente (ndihmë prej 130 eurosh) është rreth 70 mijë familje, prej tyre janë regjistruara 20 mijë familje, pasi që jo të gjitha këto familje që kanë aplikuar mund të rezultojnë që nuk kanë të ardhura, ku pas verifikimit të të dhënave nga Komisioni, 5,500 kanë marrë pagën prej 130 euro”, thotë Shahini.


Kryqi i Kuq: Rritet numri i familjeve të varfra


Rritjen e numrit të familjeve të varfra gjatë kohës së pandemisë e konfirmojnë edhe në Kryqin e Kuq të Kosovës.


Antigona Sopjani, koordinatore për mirëqenie sociale në këtë organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se listës prej 14 mijë familjeve nevojtare në Kryqin e Kuq të Kosovës, gjatë kohës së pandemisë i janë shtuar edhe shumë familje të tjera.


Ajo thotë se nuk kanë një numër të saktë të familjeve të reja që kanë pasur nevojë për ndihma ushqimore dhe higjienike, por që numri i këtyre familjeve është shtuar në të gjitha komunat e Kosovës.


“Të gjitha aktivitet që i kemi planifikuar gjatë këtij viti i kemi pezulluar dhe jemi marrë vetëm më familjet nevojtare. Është vërejtur një shtim i numrit të këtyre familjeve. Përveç familjeve nevojtare që i kemi pasur të evidentuar në Kryqin e Kuq, të cilat janë përkrahur vazhdimisht, ka pasur edhe familje tjera që kanë ardhur dhe kanë kërkuar ndihmë, pra familje të reja, të cilat në të shumtën e rasteve kryefamiljari ka humbur punën si pasojë e mbylljes së aktiviteteve ekonomike”, thotë Sopjani.


Varfëria, problem i madh nëse nuk aktivizohet ekonomia


Mbylla e detyrueshme e bizneseve dhe kufizimi i aktiviteteve ekonomike për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ka bërë që shumë të punësuar të pezullohen nga puna. Një hulumtim i organizatave ekonomike në Kosovë pati vënë në pah se 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.


Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë për Radion Evropa e Lirë se varfëria do të jetë një problem që do ta përcjellë Kosovën, nëse nuk do të arrihet të krijohen politika të duhura fiskale për të rritur punësimin.


“Deri në fund të vitit do të kemi një problem ekonomik, një rënie të ekonomisë pasi që me muaj të tërë nuk kanë qenë të aktivizuara bizneset, një numër i punëtorëve do të jenë pa punë, që ndikon shumë negativisht në ekonomi, rrit problemin social, rrit papunësinë dhe në këtë mënyrë rrit varfërinë e cila edhe ashtu është e madhe”, thotë profesor Limani.


Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017. Këto të dhëna tregojnë se mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës, jetojnë në varfëri.


Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.


Për të zbutur këtë nivel të varfërisë, shton profesor Limani, Kosova duhet të ketë një politikë investive e cila për një periudhë të shkurtër, do të jepte efektet e saja.


“Masë kryesore duhet të jetë ulja e taksave ose në një formë mbështetja e politikave fiskale të bizneseve dhe popullatës. Kjo do të ndihmonte ekonominë, përndryshe do të përballemi me problem të madh social dhe rritje të varfërisë”, thotë profesor Limani.


Pas pandemisë së koronavirusit, sipas parashikimeve edhe të Bankës Qendrore të Kosovë, do të ketë një ulje të rritjes ekonomike nga -2 deri në -4 për qind.


Rritet varfëria në botë


Banka Botërore po ashtu ka raportuar për rritje të shkallës së varfërisë në botë si pasojë e COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.


Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass kohë më parë ka thënë se deri në 60 milionë persona në botë do të përballen me varfëri ekstreme si pasojë e koronavirusit.


“Vlerësimi ynë është që deri në 60 milionë persona do të shtyhen drejt varfërisë ekstreme – që shkatërron përparimin e bërë në zhdukjen e varfërisë në tre vjetët e fundit”, ka paralajmëruar ai.