Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, më 8 maj të këtij viti, njoftoi për dënimin e 14 kompanive të derivateve të naftës për dyshimet rreth manipulimeve me çmime.


Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, pati deklaruar se kanë marrë vendim që për shkak të shkeljes së dispozitave të konkurrencës në treg, 14 kompani të gjobitën prej mbi 4 milionë euro.


Por, përmes një komunikate të AKK-së, thuhet se tashmë kompanitë janë disiplinuar dhe llojllojshmëria e çmimeve të derivateve të naftës është më e madhe, ku konsumatori ka mundësinë e zgjedhjes së çmimit që ai e dëshiron.


“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës synon që të avokojë tek ndërmarrjet për respektimin e politikave të konkurrencës dhe është e interesuar që kurdo që është e mundshme të evitohen dënimet. Në këtë kontekst, AKK shprehet e kënaqur për vetëdijesimin dhe disiplinimin e ndërmarrjeve të këtij tregu dhe fton të gjitha ndërmarrjet që të respektojnë politikat dhe ligjet e konkurrencës”, thuhet në komunikatën e AKK-së.


AKK-ja thotë se llojllojshmëria e çmimeve është vënë re nga inspektorët hetues të këtij autoriteti, të cilët në kanë monitoruar çmimet e derivateve të naftës.


Nga monitorimet e bëra, AKK thotë se është vërejtur se tashmë “ekziston një llojshmëri më e madhe e çmimeve të naftës, gjë që nuk ka qenë rasti në të kaluarën”.


“Më konkretisht, është vërejtur se dallimi i çmimit të derivateve mes kompanive në disa raste ka arritur deri në 9 centë, duke i mundësuar kështu konsumatorëve që të zgjedhin ndërmarrjet që ofrojnë çmimin më të ulët të këtij produkti apo më të lartë, bazuar në cilësinë e preferuar”, theksoi AKK-ja.


Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka thënë se do të vazhdojë monitorimin sistematik të tregut dhe ka ftuar të gjithë konsumatorët dhe aktorët tjerë që të lajmërojnë çfarëdo rasti që ata mund ta konsiderojnë si shkelje të konkurrencës.