Eksperti i ekonomisë Naim Gashi ka konsideruar se rritja e buxhetit në 3 miliardë euro është e mundshme vetëm nëse kryhen disa veprime nga Qeveria dhe nga institucionet e tjera të sundimit të ligjit.


“Puna e parë është eliminimi i monopoleve në tregje. Monopolet dhe oligopolet në shumë fusha në Kosovë e kanë vrarë konkurrencën e lirë dhe kanë pamundësuar zhvillimin e bizneseve”, ka deklaruar ai për “Zërin”.


Një veprim tjetër i domosdoshëm sipas tij është luftimi i pakompromis i evazionit fiskal dhe eliminimi i praktikave të favorizimit të kompanive të caktuara gjatë kontraktimit të punëve publike.


Po ashtu një veprim tjetër i domosdoshëm, siç Gashi është shprehur, është luftimi i kontrabandës nëpër kufij, shkruan tutje “Zëri”.


“Kontrabanduesit përveçqë e dëmtojnë arkën e shtetit, ata prishin edhe konkurrencën e lirë sepse kanë kosto më të ulët të produkteve. Sistemi i drejtësisë në Kosovë është i brishtë. Qytetarët e Kosovës dhe bizneset nuk janë të barabarta para ligjit. Fuqizimi i sistemit të drejtësisë nxit investimet e brendshme dhe inkurajon investimet e jashtme. Rritja e investimeve e zgjeron bazën tatimore dhe për rrjedhojë rrit të ardhurat për arkën e shtetit”, ka shtuar ai.


LEXO EDHE: Strategjia, e paqartë për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro


Me këtë rast Gashi ka treguar se si mund të ketë rritje të buxhetit deri në 3 miliardë euro. “Ekonomia joformale në Kosovë është 31%. Nëse marrim parasysh GDP-në e Kosovës 8 miliardë, atëherë ekonomia joformale është rreth 2.5 miliardë. Nëse ekonomia joformale bie në 20%, atëherë buxheti i shtetit mund të rritet në 3 miliardë”, ka theksuar ai.


Ndërkohë Kosova ende nuk e ka miratuar buxhetin për vitin 2020. Gjersa ka folur rreth kësaj ish-ministri i Financave në qeverinë e kaluar, Lulzim Rafuna, ka thënë se qeveria e kaluar e kishte projektuar këtë buxhet në mënyrë profesionale. “Buxheti, i cili është përgatitur nga Ministria e Financave në qeverinë e kaluar, ka qenë një buxhet që në fokus e ka pasur qytetarin e Kosovës, e ka pasur në fokus zhvillimin ekonomik të vendit duke mos përjashtuar shëndetësinë, arsimin dhe fushën e sundimit të ligjit. Ka qenë një buxhet i përgatitur në vlerën 2.4 miliardë euro, një buxhet që ka qenë më i madh se i vitit 2019, një buxhet i cili nuk ka paraparë rritjen e taksave ekzistuese dhe vendosjen e një tatimi të ri”, ka theksuar ai.


Duke u nisur nga fakti se ende nuk është prezantuar projektbuxheti për vitin 2020, Qeveria e Kosovës ka miratuar dje vendimin për t’ia kërkuar Kuvendit të Kosovës zgjatjen buxhetore edhe për muajin mars./ZËRI